Lidhje

Kush ishte Hugo Chavez?


Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez vdiq nga kanceri në moshën 58 vjeçare. Zoti Chavez, i cili u diagnostikua për herë të parë me kancer në vitin 2011, ishte një udhëheqës populist e autokrat në vendin e tij dhe kritik i hapur i Shteteve të Bashkuara.

Hugo Chavez mori detyrën e presidentit në vitin 1999 dhe u vlerësua nga të varfërit e vendit, të cilët besonin se ai mbronte interesat e tyre. Megjithatë ai u bë i njohur në skenën politike botërore vite më parë në vitin 1992, kur si ushatarak u vu në krye të një grushti shteti të pasukseshëm, përpjekje për të cilën ai u burgos. Kur u lirua, ai vazhdoi përpjekjet për pushtet në mënyrë të ligjshme, duke krijuar një lëvizje politike. Në vitin 1998 ai vuri kandidaturën për president dhe fitoi.

“Betohem para popullit tim mbi këtë kushtetutë se do të punoj për të realizuar transformime demokratike”.

Por ekspertët thonë se Venezuela u bë gjithnjë e më pak demokratike nën pushtetin autoritar në rritje të Presidentit Chavez.

“Ne zbuluam përsëri nevojat e klasave të varfëra, ne zbuluam përsëri se ishte e domosdoshme që të kujdeseshim për problemet e tyre. Aspekti më i rëndësishëm i demokracisë së sotme në Venezuelë është se kemi të bëjmë me një demokraci shumë të varfër”.

Zoti Chavez i përdori fitoret në zgjedhje e në referendume për të zgjeruar pushtetin e tij dhe për të ndryshuar ligjin që kufizonte mandatet në pushtet. Në vitin 2012, zoti Chavez fitoi mandatin e katërt si president me 54 për qind të votave, fitore që ai e konsideroi si një mandat për të vazhduar politikat e tij socialiste.

“Vendi votoi për vazhdimin e një axhende politike dhe ekonomike, me pak fjalë të një axhende socialiste”.

Nëpër botë Hugo Chavez u bë një figurë irrituese për Shtetet e Bashkuara, të cilat i kritikonte vazhdimisht. Në vitin 2006, ai mbajti një fjalim në Kombet e Bashkuara, gjatë të cilit iu referua presidentit të athershëm amerikan, George W. Bush si djalli.

“Dje djalli ishte këtu në këtë podium, ku sot e kam unë rradhën të flas dhe këtu ende mban erë sulfur”.

Zoti Chavez u bashkua me udhëheqës të tjerë armiq të Shteteve të Bashkuara, mes tyre presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, udhëheqësi kuban Fidel Kastro dhe udhëheqësi i athershëm i Libisë, Moamar Gadafi.

Michael Shifter, analist me organizatën Dialogu Ndër-Amerikan në Uashington, thotë se politikat socialiste të presidentit Chavez dëmtuan zhvillimin ekonomik afat-gjatë dhe kontribuan në shtimin e krimeve të dhunshme në vend. Por për përkrahësit e tij, thotë analisti, Hugo Chavez do të mbahet mënd si kampion i popullit, i cili përdori pasuritë e mëdha të vendit me naftë për t’u garantuar të varfërve strehim dhe kujdes shëndetësor falas.

“Nuk mund të gjesh një njeri karizmatik dhe të aftë për t’u lidhur me venezuelasit si Hugo Chavez. Figura dhe kujtimi i tij nuk do të zhduken dhe kjo do të ndihmojë që lëvizja e tij të mbetet gjallë”.

Edhe kritikët më të ashpër të Presidentit Chavez thonë se ai ishte shumë karizmatik dhe me aftësi të mrekullueshme komunikimi. Ai u diagnostikua me kancer në qershor të vitit 2011 dhe iu nënshtrua kimioterapisë si dhe një numër operacionesh dhe kurash. Megjithatë gjatë fushatës së vitit të kaluar ai u paraqit plot jetë, duke insistuar se ishte në gjendje fare të mirë.
XS
SM
MD
LG