Lidhje

Shqipëri: Homazhe për Sabri Godon


Shqipëri: Homazhe për Sabri Godon
Shqipëri: Homazhe për Sabri Godon

Në Shqipëri sot u zhvilluan homazhet në nderim të një prej figurave të rëndësishme të jetës publike e politike shqiptare, Sabri Godos, i cili u nda nga jeta dje në moshen 82 vjecare pas një sëmundjeje të rëndë. Qeveria shpalli zi kombëtare dhe sot trupi i tij u vendos në hollin e hyrjes së parlamentit shqiptar, ku ai për dy legjislatura kishte qenë deputet.

Në mesazhet e shumta për humbjen e tij të gjithë vlerësuan rolin e tij moderator në politikë dhe kontributin e tij në letrat shqipe dhe cështjet qe lidheshin me interesat kombëtare

Një varg i gjatë njerëzish për dy orë nderuan sot një prej personazheve të rëndësishëm politik të pas viteve ’90, zotin Sabri Godo. Në mesditë, trupi i tij u përcoll nga banesa ku kishte preferuar të mbyllte sytë pas qëndrimit në spital, ku mjekimet nuk arritën dot të mposhtnin sëmundjen e rëndë që e kish goditur prej disa muajsh.

Përpara se t’i jepej lamtumira e fundit, arkëmorti i mbuluar me flamurin kombëtar u vendos në hollin e godinës së parlamentit ku ai kishte dhënë kontributin e tij si deputet në dy legjislatura. I pozicionuar në krahun e djathtë të politikës shqiptare që kur me 1991 themeloi partinë republikane, duke mbetur edhe pas tërheqjes, ikona e pazëvendësueshme e kësaj force politike, zoti Godo u përcoll sot nga të majtë e të djathtë, nga të njohur të shumtë e personazhe të jetës publike të vendit. Ashtu si dhe dje kur mesazhet që shprehnin keqardhjen për ndarjen e tij nga jeta, edhe sot, për t’i bërë nderimet e fundit në ceremonialin shtetëror morën pjesë autoritetet më të larta të vendit.

Nuk munguan edhe përfaqësuesit më në zë diplomatik në Tiranë. As edhe ata fetar.

Ndonëse i shkëputur nga një angazhim direkt partiak, zoti Godo, një nga hartuesit e kushtetutës së vendit, ruajti një vend të rëndësishëm në skenën politike. Aty ku do të kishte debate të ashpra, aty ku do të shfaqeshin konflikte, mendimi i tij do të thirrej për peshën e rëndë dhe forcën e arsyes.

Të gjithë thuajse në mënyrë unanime i njohën atij rolin moderator dhe fjalën e urtë, trashëgiminë e lënë pas me vepra letrare, si dhe angazhimin e tij të përhershëm në çështjet që lidheshin me interesat kombëtare të vendit.

Në skenën e trazuar politike shqiptare ai do të jetë zëri i qetë dhe fjala e mencur që do të mungojë.

XS
SM
MD
LG