Lidhje

Hong Kong, banesa në tarracat e pallateve


Rritja e çmimeve të banesave në Hong Kong po vë në vështirësi banorët me të ardhura të ulëta, duke i detyruar shpesh të gjejnë zgjidhje të paligjshme dhe të rrezikshme për jetën. Shumë prej tyre kanë ndërtuar banesa të pasigurta mbi tarracat e ndërtesave shumëkatëshe ose i marrin ato me qira nga pronarë të dyshimtë. Banorët e këtyre shtëpive të varfra nuk kanë mbrojtje të mjaftueshme kundër të nxehtit ekstrem dhe motit të keq.

Dy motra të vogla duhet të ecin mbi 10 palë shkallë për të shkuar dhe për t’u kthyer nga shkolla. Ato shpesh i bëjnë detyrat e shtëpisë në një vapë të padurueshme ose nën një çati që pikon. Ato ndajnë një krevat, përdorin një dhomë të vogël ndenjjeje dhe një barakë tjetër të vogël, që shërben si kuzhinë dhe banjo.

Këtu ka shumë pak privatësi, sepse mbi këtë çati ndërtese ka baraka ku jetojnë familje të tjera. Familja e dy motrave ka jetuar këtu për katër vjet, por tani qeveria i ka dhënë njoftim për heqje.

"Qiraja është kaq e lartë në qytet, saqë ne nuk mundemi të largohemi prej këtu. Kushton të paktën disa qindra dollarë. Nuk mund ta përballojmë," thotë nëna e tyre, Su Xingyun.

Zonja Xingyun ka ardhur këtu nga Kina kontinentale për t'u bashkuar me të shoqin, i cili ka jetuar në çatitë e ndërtesave për 20 vjet. Ajo thotë se kanë aplikuar për strehim publik çdo vit.

"Kur ka një tajfun, kam vërtetë frikë. Shqetësohem se çatia mund të shembet, sepse arrij të ndiej muret të lëkunden. Ky nuk është strehim i sigurt për një familje."

Në çatinë e këtij pallati të lagjes jo të pasur Shamit Shui Po, disa banorë kanë shtëpitë e tyre, ndërsa të tjerë paguajnë qira.

Ky refugjat vietnamez jeton këtu prej 10 vjetësh, duke paguar rreth 130 dollarë në muaj.

"Unë do të qëndroj këtu derisa ata ta shembin këtë vend. Nëse e bëjnë këtë, do më duhet të largohem dhe mund të më duhet të fle në rrugë."

Ka një numër në rritje të apartamenteve të reja luksoze në Hong Kong. Disa prej tyre shiten për më shumë se 50 milionë dollarë. Ndërsa çmimet e banesave rriten, qyteti e ka gjithnjë e më të vështirë të gjejë strehë për banorët më të varfër.

Aktivistja Angela Lui thotë se shumë njerëz nuk mund të përballojnë as banesat më të lira të Hong Kongut.

"Kur kërkon të marrësh me qira një banesë në zonën urbane të qytetit, duhet të paguash depozitët e sigurisë, një tarifë shtesë dhe muajin e parë të qirasë. Gjithsej, kjo shifër mund të jetë më shumë se 1 mijë e 300 dollarë. Është një shumë e madhe, një sasi parash që familjet nën kufirin e varfërisë nuk mund të përballojnë."

Nuk ka të dhëna të sakta rreth numrit të shtëpive të improvizuara. Autoritetet thonë se, nga viti 2001 deri në vitin 2011, shembën rreth 400 mijë ndërtime pa leje – duke përfshirë baraka mbi çatitë e pallateve – kryesisht për arsye sigurie. Ritmi i heqjes nga autoritetet është tani më i shpejtë se aftësia e pronarëve për të gjetur qiramarrës në këto banesa me çmim të përballueshëm.

Lista e pritjes për strehim publik po bëhet më e gjatë. Deri në fund të marsit të këtij viti ka pasur pothuajse 250 mijë aplikacione për strehim publik me qira. Drejtoria e Strehimit Social thotë se periudha mesatare e pritjes për aplikimet e përgjithshme është tre vjet.

XS
SM
MD
LG