Lidhje

Gazetarët në Hong Kong kundërshtojnë kufizimin e informacionit


Gazetarët në Hong Kong kanë nënshkruar një peticion ku i kërkojnë qeverisë që të heqë dorë nga një projekt-ligj që kufizon të dhënat personale që drejtuesit e korporatave duhet të vënë në dispozicion të publikut. Kritikët argumentojnë se amendamenti do të kufizojë lirinë e shtypit dhe do të mbrojë drejtues të korruptuar nga kontrolli i bizneseve të tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ivan Broadhead njofton.

Amendamenti i propozuar do ta mënjanonte detyrimin e drejtuesve të biznesit për të publikuar adresat e shtëpive dhe numrat e plotë të kartave të identitetit në një regjistër korporatash me qasje publike. Ky projekt-ligj do të debatohet në legjislaturën e Hong Kongut para majit dhe nëse miratohet, hyn në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
Mak Yin-ting, kryetarje e Shoqatës së Gazetarëve të Hong Kongut, është organizatorja e një peticioni për të hequr dorë nga amendamenti. Ajo thotë se pavarësisht nga reputacioni për transparence në biznes, Hong Kongu gjithnjë e më shumë po bëhet një destinacion i preferuar për investitorët, që duan të fshehin asetet.

“Amendamenti do të krijonte shumë pengesa për gazetarinë investigative. Ne mendojmë se qeveria po vendos gjithnjë e më shumë pengesa për lirinë e informacionit. Interesi i publikut është në rrezik”.

Ndërsa Hong Kongu ka autonomi të konsiderueshme ligjore dhe politike nga Pekini, kritikët shprehin shqetësimin se qeveria qendrore po bën presion ndaj ligjvënësve të Hong Kongut për të miratuar këtë masë.

Debati vjen disa muaj pasi organet amerikane të medias Bloomberg dhe The New York Times botuan shkrime për korrupsionin e udhëheqësve kinezë, të cilët kishin pasur mes burimeve të tjera edhe regjistrat elektronikë të Hong Kongut.

Sipas këtyre të dhënave, familjet e kryeministrit kinez Wen Jiabao dhe presidentit të ri Xi Jinping janë të lidhur me interesa biznesi miliarda dollarëshe. Mak thotë se faqet e internetit të të dyja këtyre mediave mbeten të bllokuara për publikun kinez.

“Kërkimet për të zbuluar interesat e familjeve të udhëheqësve të Kinës në Hong Kong, janë legjitime. Prandaj ne i bëjmë thirrje qeverisë kineze të heqë këto ndalesa sa më shpejt dhe t’i tregojë botës që lejon lirinë e informacionit”.

Organizata si Shoqata e Bankave të Hong Kongut bien dakord që qasja publike e të dhënave duhet të vazhdojë për të ruajtur reputacionin e Hong Kongut për transparence në korporata.

Megjithatë, përkrahësit e amendamentit thonë se drejtuesit e kompanive duhet të kenë të drejtën që të mos bëjnë publike adresën e shtëpisë dhe numrin e identifikimit. Nike Wong është president i Dhomës së Kompanive të Hong Kongut.

“Duket se njerëzit janë të fiksuar me idenë që duhet të dinë adresën e një drejtori. Sipas ndryshimeve, kompania do të vazhdojë të jetë e detyruar të japë adresën zyrtare, emrin e plotë të drejtorëve dhe disa nga shifrat e numrit të identifikimit. Kjo është një e drejtë që shumë njerëz e mbështesin”.

Peticioni i botuar sot, është debati i fundit publik me të cilin përballet udhëheqësi i Hong Kongut, Leung Chun-ying. Këtë muaj mijëra vetë dolën në rrugë duke akuzuar të emëruarin që ka mbështetjen e Pekinit se nuk ka as vizionin të çrrënjosë varfërinë në rritje, dhe as për të zbatuar të drejtat universale të votimit. Sipas anketave të fundit, mbështetja për të ka rënë nën 30 për qind.
XS
SM
MD
LG