Lidhje

Hong Kongu kundër reformës zgjedhore


Legjislatura e Hong Kongut hodhi poshtë të enjten një plan të debatueshëm për reformën zgjedhore, pas polemikave disa mujore dhe protestave masive mbi të ardhmen demokratike të qytetit.

Ligjvënësit në Hong Kong i vunë veton propozimit për reformën zgjedhore, duke e quajtur atë "demokraci dhe votim të rremë" .

Debati legjislativ ka tërhequr rreth një mijë protestues para zyrave të qeverisë këtë javë, si në mbështetje ashtu edhe kundër propozimit, i cili bën thirrje që të emëruarit për shef ekzekutiv të qytetit të zgjidhen nga një komision.

Shumë ligjvënës nuk ishin të pranishëm gjatë votimit, i cili ndodhi më herët se ç’pritej. Njëzet e tetë ligjvënës votuan kundër planit, tetë votuan në mbështetje të tij dhe një ligjvënës abstenoi. Pak kohë para votimit, një grup i ligjvënësve pro-qeveritar humbi të drejtën për të votuar pasi në minutën e fundit në shenjë proteste u largua nga salla. Emily Lau, kryetare e Partisë Demokratike të Hong Kongut, përshkroi atë që ndodhi brenda dhomës së legjislativit.

"Gjithë procesi ishte mjaft absurd, sepse të gjithë e dinin se propozimi do të hidhej poshtë, por shumë ligjvënës pro-qeveritar dolën nga salla kështu që në fund propozimi mori vetëm tetë vota në mbështetje dhe 28 kundër. Pra ishte një fund absurd i kësaj drame të trishtuar".

Disa orë pas votimit, agjencia shtetërore kineze e lajmeve, Xinhua, lëshoi një deklaratë ku thuhej se vendimi i legjislaturës kineze mbi reformën elektorale në Hong Kong, i miratuar gushtin e kaluar, do të mbetet në fuqi në të ardhmen, pavarësisht vetos së Këshillit Legjislativ të Hong Kongut ndaj nenit për votimin universal. Xinhua nuk përfshiu ndonjë informacion tjetër në këtë njoftim.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Lu Kang shprehu zhgënjimin ndaj vetos.

Lu Kang tha se qëllimi i qeverisë qendrore dhe aspirata e përbashkët me njerëzit e Hong Kongut është që të promovojë me vendosmëri zhvillimin demokratik të Hong Kongut dhe zgjedhjen e shefit të ekzekutivit përmes një votimi të përgjithshëm. Ai tha se qeveritë rajonale administrative kanë bërë përpjekje të mëdha në këtë drejtim. Ai tha se vetoja e planit të reformës zgjedhore është diçka që Kina nuk donte ta shihte.

Votimi i sotëm pason muajt e zemërimit publik dhe protestave kundër procesit zgjedhor në qytet. Në vjeshtë të vitit të kaluar, dhjetëra mijëra demonstrues pro-demokracisë bllokuan rrugët e Hong Kongut, duke kërkuar zgjedhje të drejtpërdrejta për udhëheqësin e qytetit. Joseph Cheung i Universitetit të Qytetit të Hong Kongut tha se vetoja ndaj planit të reformës zgjedhore pasqyron ndjenjat e shumicës së njerëzve në qytet.

"Ligjvënësit pro-demokracisë në të vërtetë ndjehen të detyruar për t'iu përgjigjur kësaj kërkese, sepse këta njerëz janë themeli i mbështetjes së votuesve".

Tani që planit të reformës zgjedhore i është vënë vetoja, Hong Kongu do të ruaj procesin e tij aktual të zgjedhjes së udhëheqësit të qytetit nga një komision prej 1,200 anëtarësh.

XS
SM
MD
LG