Lidhje

Hong Kong, ankthi ekonomik dhe protestat

  • Brian Padden

Ndërsa protestat pro-demokracisë në Hong Kong lidhen kryesisht me të drejtën e votës për të mos lejuar verifikimin e kandidatëve nga Kina, ankthi mbi koston në rritje të jetesës dhe hendeku mes shtresës së pasur dhe shtresave tjera janë gjithashtu faktorë që kanë ndikuar në pjesëmarrjen në protesta. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden, shumë banorë të Hong Kongut besojnë se ndryshimi politik është i nevojshëm për zgjidhjen e këtyre shqetësimeve, sidomos pas komenteve të shefit ekzekutiv të qytetit se demokracia do të ishte e keqe për ekonominë.

Stafi dhe vullnetarët e organizatës Ushqe Hong Kongun shpërndajnë 29,000 racione të gatshme ushqimi në muaj, për të ndihmuar një pjesë të një milion njerëzve që jetojnë nën nivelin e varfërisë.

Gabrielle Kirstein, e cila e themeloi organizatën në vitin 2009, thotë se edhe pse Hong Kongu nuk po merret me çështje si uria, numri i njerëzve të varfër është në rritje.

"Kemi një në tre të moshuar, një në pesë studentë, fëmijë që jetojnë nën kufirin e varfërisë, të cilët ndeshen me vështirësi në sigurimin e tre racioneve të shëndetshme ushqimi në ditë".

Qeveria e Hong Kongut, e cila ka vënë taksa të ulëta dhe është miqësore ndaj biznesit, ka krijuar një ekonomi të gjallë, por ajo ka krijuar edhe hendekun më të madh në botë mes të pasurve dhe të varfërve.

Mbështetësit e lëvizjes pro-demokracisë që kanë bllokuar trafikun dhe qendrat tregtare të qytetit janë fokusuar në të drejtën e votës, pa ndërhyrjen e Kinës.

Por shumë analistë thonë se mungesa e demokracisë në Hong Kong është arsyeja që qeveria nuk ka bërë më shumë për të trajtuar shqetësimet ekonomike të klasës së varfër punëtore dhe klasës së mesme.

Fernando Cheung nga Partia e Punës është anëtar i Këshillit Legjislativ të Hong Kongut.

"Ata madje nuk po reagojnë në mënyrë pozitive, gjë që mund ta ketë zanafillën në vetë strukturën e sistemit politik këtu në Hong Kong, sepse në fund të fundit shefi ekzekutiv nuk është zgjedhur nga publiku".

Në të njëjtën ditë kur qeveria dhe protestuesit u ulën për bisedime për të zgjidhur krizën aktuale, shefi ekzekutiv Leung Chun-ying sugjeroi se demokracia do t’i jepte shumë pushtet shtresës së varfër.
Këshilltari Cheung thotë se komentet e drejtorit ekzekutiv pasqyrojnë më shumë interesat dhe pikëpamjet e mbështetësve të tij në Pekin se sa ato të banorëve të Hong Kongut.

"Ata kanë shumë interesa ekonomike në Hong Kong dhe nuk duan që interesat e tyre ekonomike të rrezikohen dhe unë mendoj se në thelb kjo tregon mosbesimin e qeverisë qendrore ndaj popullit".

Ndërsa shumica e studentëve protestues nuk jetojnë në varfëri, ata janë të shqetësuar nga rritja e çmimit të pronës dhe stanjacioni i pagave. Jenny Lau thotë se një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike do të bënte më shumë për trajtimin e hendekut mes të pasurve dhe shtresës së varfër.

"Nëse lëvizja Occupy Central e realizon këtë ndryshim, unë mendoj se ajo do ta përmirësonte situatën".

Por këta aktivistë nuk po protestojnë për ndryshime radikale. Ata thonë se demokracia në Hong Kong do të mund të zbuste hendekun e pasurisë pa kërcënuar ekonominë e tregut të lirë.

XS
SM
MD
LG