Lidhje

Ekspertët analizojnë marrëveshjen Kosovë-Serbi

  • Keida Kostreci

Dy analistë amerikanë vlerësojnë pozitivisht kompromisin e arritur

Dy ekspertë të çështjeve të Ballkanit thonë se marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit është shumë pozitive për të dyja vendet. Analistët James Hooper dhe Daniel Serwer thonë se kjo marrëveshje i kapërcen parashikimet e tyre.

James Hooper i Grupit për të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe Politikat e quan historike marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.


“Është pozitive si për Kosovën edhe për Serbinë, është pozitive për rajonin, Bashkimin Evropian dhe për Shtetet e Bashkuara. Është një marrëveshje serioze që në fakt unë e shoh si zgjidhje përfundimtare e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”.

Profesor Daniel Serwer i Universitetit Johns Hopkins, po ashtu e vlerëson pozitivisht marrëveshjen.

“Jep në mënyrë të qartë një rrugë për ri-integrimin e veriut me pjesën tjetër të Kosovës, sidomos sa i përket sistemit të policisë, drejtësisë dhe zgjedhjeve. Është diçka më e qartë dhe më bindëse se sa unë kisha menduar se do të ishte. Nuk kemi të bëjmë me një kompromis tipik të BE-së, me emëruesin më të vogël të përbashkët, kjo është një marrëveshje shumë e qartë”.

Zoti Hooper e quan marrëveshjen e arritur kuptimplotë dhe shton se janë për t’u vlerësuar përpjekjet e të dyja palëve negociuese për kompromis, në një kohë kur ndoshta shumë vetë mendonin se marrëveshja nuk do të realizohej kurrë.

“Kjo është një marrëveshje nga e cila të dyja palët fituan. Serbia ka vendosur një marrëdhënie me komunitetin e serbëve në Kosovë dhe marrëveshja e rregullon këtë marrëdhënie. Po ashtu do të marrë edhe datën për anëtarësim në BE gjë që është në avantazh të Serbisë, por kjo nuk e dëmton Kosovën fare, madje është në avantazh të saj. Është e qartë që me këtë marrëveshje, kufijtë e Kosovës janë përcaktuar, serbët në Kosovë, janë qytetarë të Kosovës”.

Zotin Serwer bie dakord që të dyja palët përfitojnë.

“Sa i përket balancave të përgjithshme, mendoj se Serbia përfitoi pak më tepër nga BE-ja ndërsa Kosova përfiton pak më shumë ne terren, pasi merr zbatim të qartë të kuadrit ligjor të kushtetutës së saj në veri”.

Por zoti Serwer thotë se fitorja më e madhe për Kosovën është njohja e nënkuptuar.

“Sepse marrëveshja thotë qartë se të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, do të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian sipas ritmeve përkatëse dhe në mënyrë të ndarë. Nuk ka anëtarësim tjetër në BE përveçse për shtetet e pavarura dhe sovrane, kështu që kemi një pranim të nënkuptuar të faktit që Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur”.

Zoti Hooper thotë se procesi që solli kompromisin, e bën atë të besojë se dera për Evropën është vërtet e hapur për Kosovën. Ai e nxit qeverinë e Kosovës që të punojnë seriozisht drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian. Ndërsa për zbatimin ai thotë se barra më e rëndë bie mbi Beogradin përsa i takon ruajtjes së qetësisë në Veri, me ndihmën e KFOR-it. Edhe zoti Serwer thotë se KFOR-it do t’i duhet të luajë rol të rëndësishëm për të ruajtur qetësinë.

“Falë kësaj marrëveshjeje historike ka mundësi që të pesta vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta rishikojnë qëndrimin e tyre të mosnjohjes së Kosovës. Nuk do të befasohesha nëse një ose dy prej tyre do ta njihnin në të ardhmen e afërt”.

Zoti Serwer thotë se nuk sheh arsye që të mos ketë njohje të tjera nga BE-ja, por pranon se vende si Spanja mund të vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim për shkak të problemeve të tyre.

“Por gjërat janë ndryshe në disa vende të tjera dhe veçanërisht vendet anëtare të NATO-s duhet të rishohin vendimet e tyre. NATO-ja nuk duhet të ketë qëndrime të paqarta ndaj marrëveshjes por ajo duhet ta mbështesë atë në mënyrë të plotë”.

Por ai shton se marrëveshja është një hap i parë mes Kosovës dhe Serbisë, pasi siç thotë ai nuk mund të ketë marrëdhënie normale midis shteteve që të mos përfishjnë njohje reciproke dhe marrëdhënie diplomatike.

Të dy ekspertët shpresojnë që marrëveshja t’i hapë rrugën një valë njohjeje edhe nga vendet e tjera jashtë Bashkimit Evropian dhe gradualisht anëtarësimit të Kosovës në OKB.
XS
SM
MD
LG