Lidhje

SHBA: Dhoma e Përfaqësuesve miraton reformën e kujdesit shëndetësor

  • Zëri Amerikës

Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan miratoi me një diferencë të ngushtë votash projektligjin për reformimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore, duke i dhënë presidentit Barak Obama fitoren në përparësinë kryesore të politikës së tij të brendshme.

Dhoma e përfaqësuesve, ku demokratët kanë shumicën, votoi mbrëmë në favor të një projektligji të miratuar më parë nga senati me 219 vota pro dhe 212 kundër. Republikanët e pakicës e kundërshtuan atë njëzëri, dhe 34 demokratë iu bashkuan atyre duke votuar kundër projektligjit. Për miratimin e tij nevojiteshin 216 vota.

Zoti Obama e vlerësoi rezultatin, i cili erdhi pas një beteje një-vjeçare me republikanët. Ky projektligj, është reforma më e madhe në sistemin shëndetësor në katër dekada.

Projektligji synon t’u japë sigurime shëndetësore 32 milion amerikanëve që nuk i kanë, duke i sjellë Shtetet e Bashkuara një hap më pranë sigurimit shëndetsor universal. Ky ka qenë një ndër synimet e paarritshme për shumë presidentë amerikanë gjatë një shekulli.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se nga projektligji do të përfitonin edhe amerikanët që kanë sigurime duke u vënë kufi atyre që ai i quajti abuzime të indutrisë së sigurimeve.

Kritikët paralajmëruan se projektligji do t’i dëmtojë amerikanët duke rritur taksat, pagesat për sigurime shëndetësore dhe ndërhyrjen e qeverisë në vendimet mjekësore.

XS
SM
MD
LG