Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve voton për armatosjen e rebelëve në Siri

  • Cindy Saine

Në Shtetet e Bashkuara, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët votoi në favor të kërkesës për ta lejuar Presidentin Obama për të armatosur dhe stërvitur rebelët e moderuar në Siri. Ligjvënësit votuan të mërkurën 273 pro dhe 156 kundër. Votimi i së mërkurës vjen si përgjigje ndaj kërkesës së Presidentit, por një numër ligjvënësish demokratë dhe republikanë e kundërshtuan atë me forcë dhe shprehën dyshim lidhur me strategjinë e Presidentit për të mundur ekstremistët e dhunshëm. Të enjten pritet të votojë për këtë çështje edhe Senati, me shumicë demokrate. Presidenti i ka drejtuar sytë nga rebelët e moderuar që luftojnë për përmbysjen e Presidentit sirian Bashar al-Assad, që të luftojnë kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik, që cilët kanë marrë kontrollin e disa rajoneve në Siri dhe pjesën më të madhe të Irakut verior. Është pjesë e strategjisë së zotit Obama për ta zgjeruar luftën kundër ekstremistëve nga Iraku, e kudo që ata të ndodhen. Pak para votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Sekretari i Shtetit John Kerry i tha anëtarëve skeptikë të një komisioni të Senatit se elementët e moderuar në Siri do të përfitojnë nga një fushatë ajrore ndërkombëtare e fuqishme me objektiv Shtetin Islamik. Ai parashikoi se sukseset në fushën e betejës do të tërheqin më shumë luftëtarë të moderuar.

Udhëheqësit demokratë dhe ata republikanë e mbështetën amendamentin e paraqitur nga Kryetari i Komisionit të Forcave të Armatosura të Kongresit, Buck McKeon. Por pati kundërshtime të mëdha nga anëtarë të thjeshtë të të dyja partive, siç e bëri të qartë udhëheqësi i shumicës republikane Kevin McCarthy:

"E di se shumë nga ne në këtë dhomë, nga të dyja partitë besojnë se strategjia e Presidentit duhet të bëjë më tepër për çrrënjosjen e plotë të këtyre ekstremistëve. Por megjithë këto rezerva, të cilat unë i ndaj këtu me ju, mendoj se ne duhet ta mbështesim këtë amendament dhe duhet të marrin hapin e parë."

Zoti McCarthy i bëri thirrje Presidentit Obama që t'i ndalë përpjekjet për t'i dhënë fund luftës ndaj terrorizmit dhe të fillojë përpjekjet për ta fituar atë. Disa republikanë thanë se nuk mund të votonin në favor të masës, sepse Presidenti nuk është duke bërë sa duhet për të konfrontuar kërcënimin serioz ndaj sigurisë kombëtare që paraqet Shteti Islamik.

Në një fjalim që mbajti të mërkurën, zoti Obama përsëri e bëri të qartë se ai nuk e ka fjalën se duhen dërguar përsëri trupa ushtarake amerikane në Irak:

"Dua të jem i qartë. Forcat amerikane që janë dislokuar në Irak nuk kanë dhe nuk do të kenë një mision luftarak. Ato do të mbështesin forcat irakiane në terren, ndërsa ato luftojnë për vendin e tyre kundër këtyre terroristëve." - tha Presidenti Obama.

Amendamenti i miratuar të mërkurën autorizon Pentagonin të planifikojë fonde eksiztuese për armatosjen dhe stërvitjen e nevojshme për rebelët sirianë.

Kongresmenja demokrate Loretta Sanchez tha se Shtetet e Bashkuara nuk dinë sa duhet për rebelët sirianë, si dhe faktin se cilët nga ata janë të moderuar:

"Ne nuk e dimë, se në një moment të caktuar ata mund t'i kthejnë armët kundër nesh. Në fakt, kjo do të ishte një nga situatat më të frikshme, me të cilën mund të përballemi."

Sipas amendamentit, administrata do të duhet ta mbajë të informuar Kongresin lidhur me mënyrat se si synon ta zbatojë programin e trajnimit dhe pajisjes që grupeve të opozitës siriane.

Senati pritet të votojë të enjten për një ligj shpenzimesh dhe një masë që do të autorizonte stërvitjen e rebelëve sirianë. Analistët thonë se senatorët presin me padurim t'i miratojnë të dyja masat, në mënyrë që ligjvënësit të kthehen në distriktet e tyre për të zhvilluar fushatë për zgjedhjet e nëntorit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG