Lidhje

Platformë që sfidon gravitetin


Deri para dy dekadash, një platformë lëvizëse që qëndron pezull, ishte një ëndërr futuriste, por tani është bërë e mundshme. Megjithëse nuk është gati për prodhim masiv, ka gjasa të bëhet një mënyrë interesante transporti, të paktën në disa lloj sipërfaqesh.

Është e lehtë të vëresh se shtyrja e poleve të njëjta të magneteve, mund të kundërveprojë ndaj forcës së gravitetit dhe ta bëjnë një objekt të qëndrojë pezull, si kjo lodër magnetike.

Që nga vitet 1980, ky parim është zbatuar në trenat magnetikë në Evropë, Japoni dhe Kinë që ecin pa prekur shinat. Duke mos pasur kontakt mes trupit të tyre dhe sipërfaqes së shinave, ç’ka do të thotë që nuk ka fërkim, trenat mahnetikë pothuajse nuk bëjnë fare zhurmë dhe lëvizin me shpejtësi të madhe.

Arkitekti Greg Henderson që themeloi kompaninë Arx Pax me bashkëshorten e tij Jill, thotë se e njëjta teknologji mund të bëjë çdo gjë të qëndrojë pezull, edhe ndërtesat.

“Mendo sikur të ndodhë një tërmet dhe një sinjal paraprak paralajmërues, aktivizon sistemet e paralajmërimit dhe pikat mbështetëse bien, ndërsa ndërtesa fillon të qëndrojë pak pezull. Lëkundjet ndalen, mbështetja në tokë rikthehet dhe askush në atë dhomë ose ndërtesë nuk e merr vesh që ka ndodhur një tërmet”.

Si provë për këtë koncept, kompania e Hendersonit krijoi platformën e parë magnetike, që quajtur Hendo, që është në gjendje të mbajë një person rreth 2.5 centimetra mbi sipërfaqen e metalit.

“Ne krijojmë një fushë magnetike dhe pastaj përmes një metode induksioni, që është pjesë e formulës sonë sekrete, ne krijojmë një fushë dytësore magnetike në këtë sipërfaqe përcjellëse”.

Tani për tani, bateritë që ushqejnë katër motorët e Hendos, zgjasin vetëm për një kohë të shkurtër por inxhinieri projektues Kyle O’Neil thotë se ata që dinë të përdorin mirë skateboardin, mund të mësojnë ta kontrollojnë platformën që qëndron pezull.

“Disa njerëz thonë se është si të rrëshqasësh me slitë. Disa thonë që është tamam siç e imagjinonin që do të ishte një platformë e tillë, një përgjigje paksa interesante sepse askush nuk ka përdorur një platformë që qëndron pezull”.

Shpikësit e Hendos thonë se nuk presin të shohin një mjet të tillë së shpejti nëpër rrugë, sepse funksionon vetëm në sipërfaqe metalike. Por ata thonë se motorë më të mëdhenj të mbajtjes pezull, mund të përdoren për shembull për transportimin e kontenierëve në një magazinë.

Tani për tani, ëndrra e tyre është që të hapin një park ku gjithkush të mund të përdorë një bord të shkëputur nga toka, si një skenë nga filmat fantastiko-shkencorë.

XS
SM
MD
LG