Lidhje

Hoxhaj: Bisedimet Kosovë-Serbi janë në interes të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre

  • Zëri Amerikës

Hoxhaj: Bisedimet Kosovë-Serbi janë në interes të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre

Hoxhaj: Bisedimet Kosovë-Serbi janë në interes të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj thotë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë në interes të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre. Duke iu referuar vizitës së javës së kaluar në Prishtinë të kreut të delegacionit serb në këto bisedime, Borko Stefanoviç, zoti Hoxhaj thotë se vizita të tilla zyrtare kontribuojnë në zhvillimin e marrëdhënieve të mira me shtetet fqinjë. Zoti Hoxhaj i bëri komentet gjatë një konference në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Hollësitë na i sjell kolegia Bardha Shpuza Azari.

Ndërkohë që dialogu mes Serbisë dhe Kosovës ka rreth dy muaj që ka filluar, Beogradi po përpiqet që në këto bisedime të përfshijë edhe çështje politike. Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj thotë se korniza e këtij dialogu është më se e qartë:

“Ne mendojmë që dialogu mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është një dialog mes dy shteteve sovrane dhe të pavaruara dhe është një dialog i filluar pas miratimit të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit në shtator të vitit të kaluar. Një rezolutë e tillë i referohet mendimit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila vendosi vitin e kaluar se shpallja e pavarësisë së Kosovës është vendim i ligjshëm dhe jo në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, prandaj edhe korniza e dialogut zhvillohet në këtë frymë. Ne mendojmë që është në interes të të dy vendeve që çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve, çështja e bashkëpunimit rajonal, bashkëpunimit ekonomik dhe mundësisë së afrimit të dy vendeve për një perspektivë evropiane është e natyrës jetike."

Kohët e fundit, ndarja e mundshme territoriale është një ide që është qarkulluar nga kreu i delegacionit të Serbisë për bisedimet Prishtinë-Beograd Borko Stefanovic dhe së fundi është përsëritur nga zëvendëskryeministri serb dhe Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç. Zoti Hoxhaj thotë se negociatat e zhvilluara në Vienë dhe të ndërmjetësuara nga kryenegociatori ndërkombëtar Marti Ahtisari e kanë bërë të qartë që çështja e statusit dhe shtetësisë janë kapituj të mbyllur.

“Për Prishtinën propozime të tilla të ndarjes janë të papranueshme. Kosova është një shtet funksional, shumë-etnik dhe demokratik dhe ndarja bie ndesh me interesin shtetëror të Kosovës dhe do të kishte pasoja të tmerrshme edhe për vende të tjera të rajonit, meqë do të krijonte një precedent që politika e ndarjes në baza etnike, në baza territoriale të shërbente si model për zgjidhjen e problemeve të caktuara.”

Vizita javën e kaluar, e zotit Stefanoviç në Prishtinë, ngjalli shumë reagime dhe nxiti protesta në Prishtinë. Zoti Hoxhaj thotë se kjo ishte një vizitë zyrtare e një delegacioni shtetëror të Republikës së Serbisë në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, dhe se edhe zyrtarët e Kosovës do të kenë rastin së shpejti të vizitojnë zyrtarisht Beogradin. Ministri i Jashtëm thekson se këto vizita kontribuojnë në zhvillimin e marrëdhënieve të mira me shtetet fqinjë dhe drejt një bashkëpunimi ekonomik.

I pyetur për punën që po bën qeveria e Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit në veriun e Kosovës, shpërbërjen e strukturave paralele dhe integrimin e pakicës serbe në atë zonë, zoti Hoxhaj tha:

“Qeveria e Republikës së Kosovës, gjatë tre viteve të fundit, ka bërë përpjekje që ta integrojë këtë pjesë të Kosovës brenda strukturave shtetërore të Republikës. Unë mendoj se atje gjendja ka filluar të përmirësohet, megjithëse na pret punë shumë e madhe për t’u bërë dhe ndër hapat e parë është hapja sa më e shpejtë e gjykatës në veri të Mitrovicës, duhen shpërbërë strukturat paralele dhe duhen bërë investime që zhvillimi ekonomik, politik dhe social të ecin paralelisht.”

Megjithëse Kosova shpalli pavarësinë që prej më shumë se tre vjetësh, vetëm 75 vende e kanë njohur atë deri tani. Zoti Hoxhaj thotë se Ministria e Jashtme ka një strategji të veçantë për shtimin e numrit të njohjeve.

“Ne, si Ministri i Punëve të Jashtme kemi hartuar një dokument strategjik i cili synon të analizojë pozitën e Republikës së Kosovës pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe i cili ofron një plan veprimi se si të ushtrohet më shumë ndikim për shtimin e njohjeve të Kosovës.”

Ministri i jashtëm thotë se Kosova po bën përpjekje maksimale që ta promovojë interesin shtetëror të Kosovës në çdo cep të botës

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG