Lidhje

Për Kosovën dhe Shqipërinë


Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee, tha se problemet në konstituimin e këshillave komunale në veri të Kosovës nuk ishin diçka e papritur. Në komentet që bëri mbrëmë për Zërin e Amerikës, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se e rëndësishme është që qeveritë lokale të zgjedhura së fundi të funksionojnë në përputhje me ligjin e Kosovës. Zoti Yee komentoi edhe për bashkëpunimin me qeverinë e Shqipërisë pas refuzimit të saj për të bërë asgjësimin e armëve kimike siriane në territorin e vet.

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee, tha se deri tani, ka patur përparim të jashtëzakonshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, sidomos me marrëveshjen e nënshkruar në muajin prill.
Hoyt Yee Zëvendës-ndihmës sekretar i Shtetit

"SHBA i mirëpresin përpjekjet që po bëhen nga Prishtina dhe Beogradi për vënien në jetë të kësaj marrëveshjeje. Ishte diçka shumë pozitive që zgjedhjet u zhvilluan përgjithësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me ligjin e Kosovës. Tani, detyra përpara popullit të Kosovës dhe udhëheqësve të zgjedhur të saj është që të zbatohen rezultatet e këtyre zgjedhjeve në komunat, duke përfshirë ato në veri dhe të garantohet se qeveritë lokale të zgjedhura së fundi do të funksionojnë në përputhje me ligjin e Kosovës dhe me kornizën e institucioneve të saj."

Lidhur me problemet në konstituimin e këshillave komunale në veri, zoti Hoyt Lee tha:

"Sa herë që ka një proces si ky që ndodh për herë të parë, do të ketë edhe komplikime dhe nuk është e papritur që ka vështirësi në konstituimin e institucioneve për herë të parë. Ne mendojmë se ka shumë rëndësi që udhëheqësit e qeverisë të gjejnë mënyrën për konstituimin e këshillave komunale në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve, me ligjin e Kosovës dhe të marrëveshjes së arritur në prill të 2013s."

I pyetur nëse SHBA janë të zhgënjyera me vendimin e Shqipërisë për të mos pranuar shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj, zoti Hoyt Yee tha:

"Ne kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të ngushtë dhe të fuqishëm me Shqipërinë në një gamë të gjerë veprimtarish, duke përfshirë sferën e sigurisë, sferën ekonomike, tregtare, kulturore dhe politike. Ky aspekt potencial i bashkëpunimit tonë, pra përsa i përket shkatërrimit të armëve kimike, në fund rezultoi i pamundur por ne e mirëpresim gatishmërinë e treguar nga qeveria e Shqipërisë për t'u takuar dhe biseduar me ne dhe për të shqyrtuar kërkesën tonë. Ne vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë të NATO-s dhe partnerë të tjerë të interesuar për të bërë atë që është e nevojshme të bëhet në shkatërrimin e armëve kimike siriane sipas kalendarit që kemi përcaktuar. Jemi të sigurt se do të ketë edhe raste të tjera për lloje të ngjashme bashkëpunimi me Shqipërinë në të ardhmen."

Trego komentet

XS
SM
MD
LG