Lidhje

HRW: Shteti Islamik ka masakruar qindra ushtarë irakianë


Organizata "Human Rights Watch" thotë se grupi Shteti Islamik ka masakruar rreth 770 ushtarë irakianë, të cilët u kapën kur militantët morën kontrollin e një baze ushtarake në muajin qershor.

Kjo shifër është më e lartë se ajo e reportuar fillimisht nga grupi me seli në New York dhe ajo bazohet tek faktet e reja që tregojnë vendet ku janë kryer ekzekutimet.

Human Rights Watch tha të mërkurën se "barbarizmi" i Shtetit Islamik është një shkelje me përmasa të mëdha e ndërgjegjes.

Shteti Islamik mori në qershor kontrollin e bazës "Camp Speicher", pranë Tikritit, duke kapur qindra ushtarë irakianë, për të cilët tha se ishin dorëzuar vetë.

Militantët publikuan pamje të rënda të ushtarëve, të cilët qëlloheshin me armë, ndërsa zvarresiseshin. Disa nga trupat shtyheshin nëpër kanale, ndërsa të tjerët hidheshin në Lumin Tigër.

Ushtria irakiane ka një listë të madhe me ushtarë që figurojnë të humbur. Disa prej familjarëve të tyre hynë të martën me forcë në Parlamentin irakian, duke kërkuar të dinë për fatin e të dashurve të tyre.

Presidenti Barack Obama tha të mërkurën se sulmet ajrore amerikane i kanë topitur militantët e Shtetit Islamik në Irak. Ai tha se grupi do të shkatërrohet.

XS
SM
MD
LG