Lidhje

HRW: Policia serbe keqtrajton strehimkërkuesit


Human Right Watch tha se migruesit dhe strehimkërkuesit e intervistuar prej kësaj organziate flasin për shkelje të të drejtave të tyre nga policia serbe

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, tha të mërkurën se strehimkërkuesit dhe migruesit në Serbi, përballen me keqtrajtime dhe shkelje të të drejtave të tyre nga policia serbe.

Organizata tha se ka intervistuar migrues dhe strehimkërkues të cilët kanë folur për sulme të dhunshme, kërcënime, ofendime, trysni, mohim të mbrojtjes së posaçme për fëmijët e pashoqëruar dhe kthim prapa në Maqedoni.

Disa familje dhe fëmijë të pashoqëruar thanë se ata janë kthyer prapa kur kanë provuar të regjistrohen si strehimkërkues dhe kanë fjetur pastaj jashtë në të ftohtë.

“Autoritetet serbe duhet të mbrojnë strehimkërkuesit dhe imigrantët, përfshirë fëmijët që ikin nga lufta dhe përndjekjet, e të mos lejojnë policinë që t’i viktimizojë ata”, tha Emina Çerimoviç, nga HRW. “Autoritetet duhet t’u japin fund keqtrajtimeve nga ana e policisë dhe të kërkojnë llogari nga përgjegjësit”, tha ajo.

Ndërmjet nëntorit të vitit 2014 dhe janarit të vitit 2015, Human Rights Watch intervistoi 81 strehimkërkues dhe migrues, përfshirë 18 fëmijë në pjesë të ndryshme të Serbisë dhe Maqedonisë.

Organizata gjeti se ata u janë nënshtruar shkeljeve në duart e policisë serbe, posaçërisht në Suboticë, një qytet në kufi me Hungarinë, por, poashtu edhe në Serbinë jugore e atë lindore dhe në Beograd.

Një pjesë e migruesve, kryesisht sirianë dhe afganë, thonë se policia serbe u ka marrë paratë, telefonat si dhe ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj tyre.

XS
SM
MD
LG