Lidhje

Hugo Çavez përballë provës politike

  • Michael Bowman

Hugo Çavez përballë provës politike

Hugo Çavez përballë provës politike

Pushteti thuajse monopol i Presidentit të Venezuelës Hugo Çavez do të gjendet përballë një sprove në zgjedhjet e këtij muaji për Asamblenë Kombëtare. Aktualisht, të gjithë, me përjashtim të një numri të vogël ligjvënësish, janë besnikë të zotit Çavez. Anketimet e opinionit publik flasin për rënien e popullaritetit të presidentit socialist, në kushtet e problemeve ekonomike dhe ritmet e larta të krimit. Por zoti Çavez ka avantazhe të rëndësishme institucionale dhe politike ndaj opozitës, ndërsa sezoni i fushatës fuqizohet në prag të votimeve të 26 shtatorit.

Hugo Çavez, figura më polarizuese në Amerikën Jugore, shkakton mjaft debate sa herë që i përmendet emri.
Kjo grua në pension thotë se në zgjedhjet e vitit 1998 ajo voti për zotin Çavez dhe se nuk do ta bëjë kurrë më një gjë të tillë.

“Unë votova për të se ishte i ri dhe vinte nga një familje e thjeshtë. Mendova se ai do ta çonte vendin përpara. Tani mendoj se kjo qeveri është më e keqja që kemi patur. Nuk dua t’ia di edhe po të më arrestojnë për këto fjalë. Një qeveri shumë, shumë, shumë e keqe!”

Ankesat më të mëdha: inflacioni, papunësia, mungesa e ushqimeve dhe krimi i përhapur. Në një zonë të varfër të Karakasit, ku fondet qeveritare kanë sjellë shërbime të reja sociale dhe projekte zhvillimi, mbizotëron një perspektivë tjetër.

“Unë dhe familja ime kemi mbijetuar falë presidentit. Për sa kohë që ai të jetë në pushtet, unë do votoj për të. Për sa kohë që do të mund të ec për të shkuar për të votuar, unë do mbështes presidentin tim”.

Anketuesi venezuelian, Luis Vicente Leon, thotë se përkrahja për zotin Çavez ka rënë nga 65 për qind që ishte disa vjet më parë, në 45 për qind sot.

“Përkrahja prej 45 për qind nga publiku është një shifër spektakolare, po të kesh parasysh se ai është një president, i cili ka qenë në pushtet për 11 vjet dhe i mbetet ende të zgjidhë problemet më të mëdha që ka vendi. Megjithatë, po kemi parasysh numrin e venezuelianëve që duan të votojnë kundër tij, jo që votojnë në favor të opozitës, por që duan ta ndëshkojnë Chavezin, këto shifra janë rritur”.

Hulio Borges ushqen shpresën për të përfituar nga kjo masë njerëzish. Ai është kryetar i partisë opozitare “Primero Justicia”, ose “Para së gjithash, drejtësia”.

“Në Venezuelë ne nuk kemi qeveri të mira, apo të këqia, thjesht qeveri që administrojnë në periudha kur nafta është e lirë ose kur është e shtrenjtë. Edhe popullariteti i zotit Çavez ka ndjekur këtë prirje, sepse aftësia e tij për të operuar varet tek të ardhurat e naftës. Sot ne kemi një vend të zhytur më thellë në borxhe dhe një qeveri e cila shpenzon para në mënyrë jo-produktive”.

Presidenti Çavez është në kulmin e fushatës, duke kritikuar hapur rivaltë e tij.

“Do të ishte katastrofë, nëse vendi ynë do të binte përsëri në duart e hajdutëve, që e kanë qeverisur vendin më parë dhe e kanë shkatërruar. Ata do të shkatërronin gjithshka që ne kemi arritur dhe do ta çonin vendin edhe më keq”.

Presidenti ka avantazhe të rëndësishme gjatë fushatës, përfshirë të ardhurat e mëdha nga nafta, që mund të shpenzohen siç dëshiron ai.

“Opozita e kundërshton Çavezin nga pozita tepër të dobëta. Kjo nuk është një demokraci konvencionale, ku respektohen të drejtat e pakicave politike, ku burimet publike mbahen të shkëputura nga fushata politike. Partia politike e Presidentit i ka të gjitha fondet e qeverisë në dispozicion”.

Pas më tepër se 11 vjet në pushtet, Presidenti Chavez është për venezuelianët e rinj i vetmi president që ata njohin.

“Nga vitet e mija të fëmijërisë e deri tani, kam njohur vetëm Hugo Çavezin. Opozita nuk di ta udhëheqë vendin dhe si t’i drejtohet popullit”.

Rezultatet e anketave tregojnë se është shtuar numri i venezuelianëve që kanë humbur interesin tek zhvillimet politike të vendit, për shkak të polarizimit të tyre. Me shprehjen “Ni, Ni”, apo “As njeri dhe as tjetri”, ata kritikojnë si Presidentin, edhe opozitën. Votimi i tyre mund të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve legjislative dhe nëse dominimi i politikës venezueliane nga Hugo Çavez do të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG