Lidhje

Human Rights Watch i bën thirrje Kryeministrit Sali Berisha të mos ndërhyjë në procesin hetimor të 21 janarit


Human Rights Watch i bën thirrje Kryeministrit Sali Berisha të mos ndërhyjë në procesin hetimor të 21 janarit
Human Rights Watch i bën thirrje Kryeministrit Sali Berisha të mos ndërhyjë në procesin hetimor të 21 janarit

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” thotë se nevojiten hetime të pavarura lidhur me vrasjen e tre pjesëmarrësve në protestat kundër qeverisë më 21 janar në Shqipëri.

“Human Rights Watch” i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha të mos ndërhyjë në ecurinë e hetimeve.

Prokurorja e përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama, vë në dukje organizata e të drejtave të njeriut, ka kërkuar arrestimin e gjashtë pjesëtarëve të Gardës së Republikës lidhur me vrasjet e protestuesve. Zoti Berisha u kundërpërgjigj duke e akuzuar zonjën Rama se po mbështeste një grusht shteti, duke theksuar se arrestimet “nuk do të kryheshin”.

Një zyrtar i “Human Right Watch” e ka cilësuar deklaratën e kryeministrit shqiptar si kërcënim ndaj hetimit të pavarur të vrasjes së protestueve. Benjamin Ward, nëndrejtor për Evropën dhe Azinë, thotë se “të gjitha forcat politike duhet të lejojnë prokurorinë të zhvillojë hetimet e duhura lidhur me qëndrimin e protestuesve dhe të forcave të sigurisë”.

Partitë opozitare në Shqipëri, shton Human Rights Watch, duhet të jenë të kujdesshme të mos nxisin dhunën. Disa udhëheqës të opozitës kishin bërë deklarata të ashpra kundër qeverisë dhe kryeministrit Berisha para fillimit të protestës.

Deri më tash, policia nuk ka zbatuar urdhërin e Prokurores së Përgjithshme për arrestimin e gjashtë pjesëtarëve të Gardës së Republikës, përfshirë komandantin dhe dy oficerë të lartë.

Sipas ligjit për të drejtat e njeriut, thekson më tej Human Rights Watch, forcat e rendit mund të përdorin forcën kundër demonstruesve të cilët ushtrojnë dhunë. Por përdorimi i forcës dhe armëve të zjarrit lejohet vetëm nëse mënyrat e tjera nuk janë të efektshme. Kur përdorin forcën, organet e rendit duhet të tregojnë vetë-përmbajtje dhe të veprojnë në mënyrë proporcionale me shkeljen. Po ashtu, në rast se ka viktima të shkaktuara nga përdorimi i armëve të zjarrit nga forcat e rendit, ligji parashikon hetim të paanshëm, të shpejtë dhe të efektshëm për të vërtetuar në se vrasjet ishin në përputhje me ligjin, thekson ndër të tjera në deklaratën e saj organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch.

XS
SM
MD
LG