Lidhje

Shqipëri: Detaje të reja për trafikimin e njerëzve


Vetëm një ditë pas operacionit policor antitrafik, të shtrirë në 6 rrethe të Shqipërisë, që çoi në arrestimin e anëtarëve të një grupit kriminal, i cili dyshphet se organizonte trafikimin e shtetasve shqiptarë, kryesisht drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë dalë në dritë detaje të tjera rreth veprimtarisë së këtij rrjeti të mirëorganizuar dhe punës së strukturave të hetimit dhe policisë shqiptare për zbulimin dhe arrestimin e 15 pjesëtarëve të grupit dhe shpalljes në kërkim ndërkombëtar të një personi tjetër.

Hetimet mësohet se kanë nisur në ditët e para të muajit shkurt të këtij viti, pas regjistrimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të procedimit penal numër 49, për veprën penale të ‘’Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve’’ më shumë se një herë dhe ‘’Grup i strukturuar kriminal’’, parashikuar nga nenet 298/3, 28/4 dhe 333/a i Kodit Penal.

Mbi bazën e këtij procedimi dhe duke përdorur mjete speciale të hetimit, përfshirë përgjimet telefonike, është arritur në përfundimin se shtetasit; Fatmir Bakalli, Nezir Pervizi (shtetas maqedonas), Fatos alias Dashnor Fasko, Enver Karaj, Pashko Nilaj, Prel Nicaj, Ali Metvelaj, Lek Nicaj, Gjergj Martinaj, Fatmir Flaga, Nikoll Kolaj, Filip Kërtunga, Zaim Hysenbelliu, Gëzim Tafaj, Durim Koxha, Alfred Myrtaj janë përsonat që organizonin dhe ndërmjetësonin, në rrugë të jashtligjshme, trafikimin e shtetasve shqiptarë në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të Anglisë.

Pesë prej të arrestuarve janë banorë të rrethit të Malësisë së Madhe dhe Shkodrës, ndërsa 9 të tjerë banorë të Tiranës. Në prangat e policisë ka rënë edhe një shtetas maqedonas me kombësi shqiptare, bashkëpunëtor i këtij grupi kriminal. Ndërsa përsoni i shpallur në kërkim ndërkombëtar është një i ri 28 vjeçar nga Malësia e Madhe. Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, bazuar në provat e paraqitura nga prokuroria, ka vendosur një ditë më parë masën e sigurisë “arrest me burg” për të gjithë pjesëtarët e grupit.

Prokuroria ka arritur tashmë të zbardhë edhe skemën e funksionimit të këtij grupi kriminal të trafikimit të njerëzve. Të arrestuarit kontaktonin me përsonat e interesuar për të shkuar në SHBA dhe në bashkëpunim me përsona të tjerë, organizonin kalimin e tyre në linja të ndryshme trafikimi, kryesisht Itali-Spanjë-Meksikë-SHBA si dhe linjën Bullgari-Spanjë-Kosta Rika-Guatemalë- Meksikë-SHBA. Dyshohet se shtetasi maqedonas Nertil Pervizi vinte kontaktet me persona të tjerë në Bullgari dhe Itali, të cilët ndihmonin për kalimin e shtetasve në Spanjë nga ku, më pas, i ndihmonin për të kaluar kufirin për në Meksikë. Ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetas të tjerë maqedonas edhe per fallsifikimin e pasaportave, kryesisht bullgare, që përdoreshin nga personat për të lëvizuar lirshëm në vendet e Bashkimit Europian me destinacion përfundimtar SHBA.

Përveç linjës së trafikimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesëtarët e këtij grupi dyshohet se ndihmonin shtetasit shqiptarë për të kaluar edhe në drejtim të Anglisë.
Pagesat që përfitonin nga çdo përson që trafikonin varionte në shumën 20.000 deri në 24.000 dollarë.

Burime nga organi i hetimit bëjnë të ditur se shtetasit Fatmir Flaga dhe Alfred Myrtaj ushtronin aktivitetin kriminal në drejtim të fallsfikimit të dokumenteve të ndryshme si pasaporta, karta identiteti, patenta etj.


Është ky rasti i parë, me përmasa të tilla, i zbulimit të një grupi kriminal, që organizonte trafikimin e shtetasve shqiptarë në drejtim te Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt përfitimeve financiare. Ende nuk dihet me saktësi numri i përsonave te trafikuar nga ky grup i mirëorganizuar kriminal, po ndërkohë hetimet po vazhdojnë për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë së tij.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG