Lidhje

Hungari: Kryeministri Orban fiton një mandat të dytë


Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban fitoi një mandat tjetër katër vjeçar pas zgjedhjeve të djeshme parlamentare, ku edhe e djathta ekstreme fitoi terren.

Ndërkohë që pothuajse të gjitha votat janë numëruar, partia e zotit Orban, Fidesz dhe aleatja e saj më e vogël Partia Kristian Demokrate e Popullit, ka gjasa të sigurojë 133 vende në parlamentin me 199 vende.

Kryeministri deklaroi fitoren me entuziazëm, duke thënë se Hungaria është përsëri një vend ku ia vlen të jetosh dhe të rrisësh një familje.

Partia e djathtë Jobbik pritet të marrë të paktën 23 vende, një numër më i madh sesa në parlamentin e kaluar.

Kritikët në gjithë Evropën e kanë akuzuar Jobbik-un për anti-semitizëm dhe nxitje të dhunës kundër romëve hungarezë.

Shumë hungarezë vlerësojnë udhëheqjen e zotit Orban për përmirësimin e ekonomisë së vendit dhe uljen e kostos së ujit e energjisë pas tetë vjet nën administratën socialiste.
XS
SM
MD
LG