Lidhje

Hungaria miraton një ligj të ashpër për imigracionin


Parlamenti hungarez miratoi një ligj që lejon ndalimin e të gjithë azil-kërkuesve në kampet kufitare dhe deportimin e çdo imigranti të paligjshëm në vendin e origjinës. Agjencia e OKB-së për refugjatët dhe disa grupe të të drejtave të njeriut thonë se kjo politikë shkel ligjet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.

Hungaria i quan "gjahtarë kufiri" të 3 mijë rekrutët e rinj të armatosur me pistoleta që patrullojnë kufirin krahas policisë dhe ushtrisë. Kryeministri i vendit mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të tyre të martën dhe tha se Hungaria po kalon “kohë të vështira”:

“Imigracioni është kali i trojës i terrorizmit. Njerëzit që vijnë tek ne nuk duan të jetojnë sipas kulturës dhe zakoneve tona, por sipas mënyrës së tyre.”

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se lidhja e imigracionit me terrorizmin është thjesht e gabuar:

“Kjo është saktësisht arsyeja që shumë refugjatë dhe azil-kërkues po largohen – dhuna dhe pasiguria.”

Sipas ligjit, Hungaria do të ndalojë të gjithë azil-kërkuesit në ato që i quan "strehimore", në varësi të rezultatit të aplikimit të tyre. Kombet e Bashkuara thonë se kjo do të thotë se të gjithë refugjatët, përfshi fëmijët, do të strehohen në kontenierë të rrethuar me tela me gjemba.

Përveç kësaj, policia do të lejohet të ndalojë imigrantët kudo në vend që kanë kaluar ilegalisht, dhe t’i deportojë ata në vendet e origjinës. Më parë kjo bëhej vetëm me imigrantët e ndaluar pranë kufirit:

“Masa që kanë zgjedhur autoritetet hungareze është të shmangë vlerësimin e rregullt të çdo aplikanti, secilit imigrantë apo azil-kërkues që mbërrin në Hungari. Ata po ia u kalojnë barrën vendeve të tjera. Pra qeveria hungareze qëllimisht refuzon rezultatet e sistemit të azil-kërkuesve të bllokuar në Serbi.”

Qindra imigrantë të bllokuar në Serbi jetojnë në ndërtesa të braktisura ose në kampe në pyje. Shumë thonë se janë dhunuar nga policia hungareze:

“Për ne, kudo është vështirë, pasi këtu ne jemi të pastrehë, jemi të pafajshëm. Shoku im na tregoi se në kufirin hungarez i kishin rrahur, dhe u kishin lëshuar qentë. Kjo është arsyeja që nuk e provojmë të shkojmë atje.”

Autoritetet hungareze mohojnë se përdorin forcë. Por grupet e ndihmës thonë se kanë dokumentuar disa raste dhune:

"Ne duam që udhëheqësit evropianë ta vënë në krye të axhendës çështjen e abuzimit brenda kufijve evropianë nga ana e policisë kufitare hungareze."

Hungaria thotë se thjesht po siguron kufijtë e Bashkimit Evropian. Qeveria pretendon se ka mbështetjen e popullit hungarez dhe thotë se ka një ndryshim të prirjeve në Evropë lidhur me imigracionin pas zgjedhjes së zotit Trump si president në Shtetet e Bashkuara.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG