Lidhje

Hungaria mbylli stacionin e trenave për të penguar migruesit


Qindra policë nxorën migruesit nga stacioni kryesor i trenave në Budapest duke pamundësuar udhëtimin e tyre drejt Austrisë dhe Gjermanisë.

Autoritetet hungareze mbyllën stacionin kryesor hekurudhor në Budapest duke bllokuar qindra migrues, kryesisht nga zonat e përfshira nga konfliktet në Lindje e Mesme, që po përpiqen të shkojnë në Austri dhe Gjermani.

Qindra policë nxorën migruesit nga stacioni dhe bllokuan hyrjen e tyre të martën, pak pasi që nga altoparlantët iu bë thirrje të gjithë pasagjerëve që të evakuohen.

Nuk ka pasur njoftime për përleshje, ndryshe nga çfarë kishte ndodhur më herët gjatë ditës, kur qindra veta provuan të hipin në një tren që udhëtonte për në Vjenë, por u bllokuan nga policia.

Pasi që u nxorën nga stacioni, migruesit u mblodhën jashtë tij duke ngritur një kamp të improvizuar. Disa brohoritën “Liri, Liri” apo “Gjermani, Gjermani”, një nga vendet e synuara prej shumë syresh.

Autoritetet austriake thanë se gjithsej 3 mijë e 650 migrues arritën të hënën në Vjenë. Ky është numri më i madh i migruesve brenda një ditë gjatë këtij viti në valën tronditëse të njerëzve që po kërkojnë strehim në Bashkimin Evropian.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, kur u pyetën përse e mbyllën stacionin dhe ndaluan migruesit, një zëdhënës i qeverisë hungareze tha se autoritetet po përpiqen të zbatojnë ligjet e BE-së.

Sipas ligjeve të BE-së, migruesit duhet të kërkojnë strehim në vendin e parë të hyrjes. Kësisoj Hungarisë teknikisht i është pamundësuar të lejojë migruesit që të shkojnë në Austri dhe Gjermani.

Zbatimi jo i plotë i rregullave ka bërë që shumë migrues të mbeten në situatë pa rrugëdalje, meqë shumë nuk kanë dokumente të nevojshme apo para për të blerë bileta treni.

Të martën, kancelarja gjermane Angela Merkel, u bëri thirrje vendeve evropiane që të përshpejtojnë një politike të përbashkët strehimi, që sipas saj, do të përfshijë edhe ngritjen e qendrave të regjistrimit të migruesve në zonat kalimtare.

Ndërsa tha që refugjatët e luftës dhe të përndjekurit duhet të vendosen në Evropë, kancelarja Merkel nënvizoi se ata që ikin për arsye ekonomike, duhet të kthehen në vendet e tyre.

Gjermania ka pranuar më shumë refugjatë sesa cdo vend tjetër evropiane me një numër të përgjithshëm që mund të arrij në 800 mijë deri në fund të vitit. Por, Sllovakia, Republika Ceke, Hungaria dhe Polonia, janë në mesin e vendeve kanë bllokuar planin e vendeve anëtare të BE-së për të pranuar një numër të caktuar refugjatësh.

Kryeministri sllovak Robert Fico, tha se vendi i tij “nuk do të pajtohet kurrë”, me kuotat e refugjatëve që duhet pranuar.

Ministri i jashtëm francez Laurent Fabius, akuzoi të shtunën vendet e Evropës Lindore, posaçërisht Hungarinë për politika skandaloze kundrejt migruesve që bien ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian.

Budapesti është duke ngritur një mur katër metra të lartë me tela gjembor përgjatë kufirit me Serbinë për të penguar migruesit që të hyjnë në Hungari.

Sekretari hungarez i shtetit Levente Magyar, i tha agjencisë kombëtare të lajmeve se qeveria hedh poshtë akuzat e ministrit Fabius.

Vendet anëtarë të BE-së planifikojnë të zhvillojnë bisedime emergjente mbi çështjen e migrimeve më 14 shtator.

XS
SM
MD
LG