Lidhje

Orban i kënaqur më rezultatin e referendumit për migruesit në Hungari


Kryeministri hungarez, Viktor Orban e vlerësoi "të shkëlqyeshëm" rezultatin e referendumit të së dielës, në të cilën hungarezët refuzuan me shumicë dërrmuese të votave kuotat e Bashkimit Evropian për migruesit dhe tha se votimi duhet të merret parasysh nga vendimmarrësit e BE-së.

"Tridhjetë vjet pasi që hungarezët me shumicë votuan në referendum për t'ju bashkuar BE-së, sot hungarezët ngritën zërin sërish për një çështje evropiane", tha ai në një konferencë me gazetarë. "Ne kemi arritur një rezultat të shkëlqyeshëm, sepse kemi tejkaluar rezultatin e referendumit për anëtarësim".

Në Hungari të dielën u zhvillua një referendum, përmes të cilit kryeministri Viktor Orban shpresonte të sigurojë mbështetjen popullore për qeverinë e tij, në kundërshtimin të Bashkimit Evropian për sistemimin e strehimkërkuesve në vend.

Pyetja që u ishte drejtuar votuesve në referendum ishte nëse ata pranojnë kuotat e caktuara nga Bashkimi Evropian për refugjatët. Qeveria hungareze u ka bërë vazhdimisht thirrje votuesve të mos i pranojnë kuotat e imponuara nga BE-ja.

Kryeministri Orban kërkon ta ndalë valën e migruesve myslimanë në Evropë, me argumentin se ata përbëjnë kërcënim ndaj identitetit dhe kulturës së krishterë të Hungarisë dhe Evropës. Ai doli me propozimin që BE-ja duhet të ngrejë një qytet gjigant refugjatësh në Libi.

Kryeministri hungarez thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i forcojë masat e sigurisë në kufi, për të mos lejuar hyrjen e imigrantëve, ashtu sikurse bëri vitin e kaluar Hungaria, që ndërtoi një gardh në kufijtë e saj jugorë me Serbinë dhe Kroacinë.

Kritikët thonë se referendumi mund të nxisë edhe më tej ksenofobinë dhe ndjenjat kundër migruesve në Hungari.

Kryeministri Orban tha të dielën mbrëma se do të paraqesë një ndryshim të kushtetutës së Hungarisë për ta njohur rezultatin e plebishitit - që është i pavlefshëm, meqë pjesëmarrja e votuesve ishte nën pragun prej 50 për qind të përcaktuar me ligj.

Plani i BE-së për vendosjen e 160 mijë migruesve gjithandej vendeve të bllokut, nënkuptonte që Hungaria të pranojë një mijë e 394 strehimkërkues.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG