Lidhje

Më pak migrues në Hungari – disa mësyjnë Kroacinë


Qeveria hungareze tha të mërkurën se janë regjistruar vetëm 366 hyrje të paligjshme në këtë vend. Dhjetëra kanë kaluar kufirin Serbi - Kroaci

Numri i migruesve që po hynin në rrugë të paligjshme në Hungari, ra shumë të martën, ndërsa disa duzina raportohet të kenë hyrë në Kroaci nga Serbia.

Qeveria hungareze tha të mërkurën se janë regjistruar vetëm 366 hyrje të paligjshme ditën e martë, që ishte dita e parë e hyrjes në fuqi të ligjeve të reja të rrepta të Hungarisë që përndjekin ata që hyjnë në rrugë të paligjshme në këtë vend. Të hënën, policia tha se një numër rekord prej 9 mijë e 380 migruesish hyri në Hungari.

Ndërkohë, vala mund të jetë kthyer drejt jugut. Disa grupe migruesish janë parë duke hyrë në Kroaci nga Serbia të martën, ndërsa autobusë nga Presheva në jug të Serbisë janë parë duke marrë atë drejtim.

Ministri i brendshëm kroat, Ranko Ostojiç, tha në një debat televiziv të martën se Kroacia ka bërë përgatitjet për migruesit dhe do të miratojë një plan emergjence në rast nevoje.

Po ashtu të martën, Serbia tha se nuk është në gjendje të përballojë numrin e madh të emigrantëve të grumbulluar në kufirin e saj me Hungarinë, tani që zyrtarët hungarezë kanë mbyllur plotësisht kufirin, si pjesë e masave ndaj emigrantëve

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç tha se Serbia nuk është "qendër grumbullimi." Ai tha se është e papranueshme që migruesit të kthehen në Serbi, ndërkohë që të tjerë vazhdojnë të hyjnë në vend nga Greqia dhe Maqedonia.

Zyrtarët hungarezë mbyllën dy kalime kufitare zyrtare për shkak të kontrolleve të pamjaftueshme në anën serbe, siç u shprehën ata. Hungaria gjithashtu shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në dy distrikte jugore si pjesë e masave ndaj emigrantëve që përpiqen të arrijnë në Bashkimin Evropian.

Migruesit kërkojnë hapjen e kufirit të mbyllur ndërmjet Hungarisë e Serbisë
Migruesit kërkojnë hapjen e kufirit të mbyllur ndërmjet Hungarisë e Serbisë

Qindra emigrantë u grumbulluan pranë barrierës së re kufitare duke kërkuar të lejoheshin të kalonin kufirin. Ata thërrisnin "hapni kufirin,” ndërsa policia qëndronte në anën tjetër.

Një i ri nga Pakistani, Zabih Ullah, i mbërthyer në pjesën serbe të kufirit, i tha Zërit të Amerikës se dëshiron që policia ta lejojë atë të shkojë në Gjermani. Ai ngulë këmbë se do të qëndrojë në kufi derisa t’i lejohet kalimi.

Në Berlin, kncelarja gjermane Angela Merkel, kërkoi një takim të posaçëm për të çështjen e migruesve dhe bëri thirrje për solidaritet evropian.

Zonja Merkel tha se Gjermania është e gatshme të pranojë 800 mijë refugjatë gjatë këtij viti. Por, disa udhëheqës evropian fajësojnë Gjermaninë për mirëpritje të hapur të migruesve që përpiqen të ikin nga lufta e terrori në Siri dhe gjetiu. Gjermania po përjeton frustrim në rritje me disa vende anëtare të Bashkimit Evropian që hezitojnë të ndajnë barrën e migruesve.

Në një takim në Shtëpinë e Bardhë me mbretin e Spanjës, Filipin e gjashtë, presidenti Barack Obama tha se e gjithë bota duhet të ngrihet për të ndihmuar migruesit.

“U pajtuam se kjo do të kërkojë bashkëpunim me të gjitha vendet evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar, për t’u siguruar se njerëzit do të jenë të sigurt, se po trajtohen me njerëzi dhe qe mbase duhet të merremi edhe me rrënjët e problemit, që është kriza në Siri”.

Presidenti Obama i ka thënë mbretit se është me rëndësi që edhe Shtetet e Bashkuara të marrin një pjesë të barrës së refugjatëve sirianë.

Një studiues në Institutin për Hulumtime të Politikave Publike në Londër, i tha Zërit të Amerikës se për disa, vala e refugjatëve në Evropë është një gjë pozitive, sepse ajo po ripërtërinë popullsinë e një kontinenti të plakur. Ai tha se emigrantët, kur të punësohen, do të mbështesin sistemet shëndetësore dhe të pensioneve shtetërore me taksat e tyre.

“Mendoj se kur shihni vendet si Gjermania, si Spanja, popullata po plaket dhe po zvogëlohet”, tha studiuesi Marley Morris në një intervistë telefonike. “Ata kanë nevojë për migrues për të mbështetur ekonomitë e tyre në të ardhmen. Dhe mendoj se kjo është arsyeja përse disa vende si Gjermania kanë një qasje mikpritëse”.

Shume nga migruesit kanë aftësi dhe përgatitje arsimore që i përshtatet tregut evropian, tha Morris.

Më shumë se 430 mijë migrues që kërkojnë jetë më të mirë, përfshirë refugjatë nga Siria dhe Iraku, kanë hyrë në Evropë gjatë këtij viti, Vëzhguesit e valës së migrimeve thonë se rreth 3 mijë kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të hyrë në Evropë.

XS
SM
MD
LG