Lidhje

Mjedisi i Hutovo Blatos


Ambientalistët thonë se vegjetacioni dhe kafshët e egra në një nga pikat më piktoreske të natyrës në Ballkan tani është duke u kërcënuar nga një projekt hidro-energjetik.

Ky vend përrallor, i quajtur Hutovo Blato, ndodhet në zonën jugore të Bosnje-Hercegovinës. Me vegjetacionin e shumtë, dhe një liqen të madh blu me malet në sfond, Hutovo Blato tërheq dashamirës të natyrës dhe mbi 240 specie zogjësh migrues çdo vit. Vendi u deklarua rezervat natyror në vitin 1995.

Grupet ambjentaliste thonë se një central elektrik i planifikuar për këtu afër, dhe projekte të tjera të lidhura me të do të shkatërrojnë këtë vend të bukur. Dalmat Marinko është ornitolog boshnjak.

“Hutovo Blato do të thahet plotësisht. Nuk do të ketë më ujë, dhe do të dëmtohet aq shumë saqë nuk do të ketë më vlerë mjedisore”.

Rrjeti i propozuar hidroenergjetik filloi në vitet ’70, dhe do të përfshijë disa stacione në Bosnjë dhe në Kroacinë fqinje. Për të bërë të mundur funksionimin e këtyre centraleve, uji duhet të eliminohet nga Hutovo Blato. Radivoje Bratiç është drejtor i një fabrike aktualisht në ndërtim.

“Ne nuk mund të ndërtojmë një termo-central pa pasoja, por pyetja është se sa serioze janë ato? Objektivi ynë është për të reduktuar efektet anësore aq sa mundemi. Por unë duhet të them që nuk mund t’i shmangemi tërësisht efekteve negative”.

Dëmi mjedisor prek zonën përtej Hutovo Blatos. Fermerët nga Metkoviç, një rajon aty pranë në Kroaci thonë se prodhimet e tyre janë duke u dëmtuar nga kripa e shtuar në mjedis.

“Të gjitha prodhimet tona janë prekur dhe uji që kemi këtu është toksik tashmë sepse është shumë i kripur”.

Organizata ambjentaliste World Wildlife Fund ka paralajmëruar se 10 centrale ekzistuese hidroelektrike në kurrizët ujëndarës të lumenjve Neretva dhe Trebishnjica, dhe shtatë të tjerë që janë në plan për ndërtim po ndikojnë në zonën e Hutovo Blato tashmë.
XS
SM
MD
LG