Lidhje

I dërguari i BE Lajçak në Tiranë për situatën politike e zgjedhjet vendore

  • Zëri Amerikës

I dërguari i BE Lajçak në Tiranë për situatën politike e zgjedhjet vendore

Miroslav Lajçak ishte për herë të fundit në Tiranë në fillim të muajit shkurt. Ai kishte premtuar rikthimin e shpejtë, por siç shpjegoi edhe vetë, ky rikthim u zgjat pasi nuk ishin parë “përpjekje të ndershme për rifillimin e dialogut politik”.

Sipas tij, fakti që në vend nuk ka patur më demonstrata të dhunshme dhe njerëz të vdekur në rrugë, nuk është i mjaftueshëm për një vend si Shqipëria që synon të bëhet anëtare e Bashkimit Europian: “Vendi juaj është pranë zgjedhjeve vendore dhe baronesha Ashton vendosi të më sjellë sërish këtu në Tiranë për t’u kujtuar politikanëve shqiptarë përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të ardhmen e Shqipërisë. E kam ndërmarrë këtë vizitë për t’i kujtuar presidentit të Republikës, kryeministrit dhe kreut të opozitës rëndësinë që kanë këto zgjedhje për faktorin ndërkombëtar”.

Zoti Lajçak shpjegoi se misioni i tij ishtë koordinuar ngushtësisht edhe me qeverinë amerikane dhe se për pasojë kishte përcjellë në takimet e tij edhe idetë e Uashingtonit. Zyrtari i lartë europian theksoi disa herë rëndësinë e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm. Politikanët, tha ai, “janë të interesuar për rezultatin e zgjedhjeve ndërsa për ndërkombëtarët është i rëndësishëm procesi zgjedhor, që të jetë transparent, në përputhje me standartet ndërkombëtare dhe i ndershëm”. Duke nënvizuar nevojën e angazhimit të të gjitha palëve ai theksoi se “është e qartë se në çdo vend, është përgjegjësi e qeverisë që të garantojë se zgjedhjet do të arrijnë standardet e do të jenë të lira e të ndershme”.

Zoti Lajçak evitoi të komentonte për çështje specifike që lidhen me zgjedhjet apo edhe kërkesat e opozitës për garanci për procesin, por u shpreh se ka ende kohë të përmirësohen elementë që nuk kërkojnë ndryshime të kodit zgjedhor. “Ne duam të shohim pas këtyre zgjedhjeve një raport më të mirë se ai i zgjedheve të shkuara. Ka ende kohë dhe shumë gjëra mund të bëhen e të trajtohen nga ato çka janë identifikuar nga ODIHR-i. Një nga objektivat e misionit tim ishte të nxisja politikanët që të angazhohen në trajtimin e ketyre çështjeve”.

I dërguari europian kujtoi edhe detyrimet që Shqipëria ka lidhur me procesin e integrimit, përmbushjen e 12 pikave të identifikuara nga komisioni europian si dhe theksoi rëndësinë që vendi të rithkehet në rrugën e tij të integrimit: “Udhëheqësit shqiptarë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për të siguruar progresin e Shqipërisë. Vetëm reforma konkrete dhe thelbësore, dhe hapat drejt tyre mund të sigurojnë demokracinë, përmirësimin e shtetit ligjor dhe të bëjnë që Shqipëria të ecë më pranë BE-së”

Ai përmendi si pika kyçe rifillimin e dialogut politik, respektimin e institucioneve dhe ringritjen e shpejtë të besimit mes parlamentit, politikanëve dhe qytetarëve.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG