Lidhje

Një i ri me autizëm shkon në universitet


Benjamin Alexander duke u ndihmuar nga babai
Benjamin Alexander duke u ndihmuar nga babai

Një i ri me autizëm jo-verbal ka sfiduar të gjitha pritshmëritë duke u regjistruar në një universitet në qytetin Nju Orlins. E gjithë kjo në sajë të prindërve të tij, një mësueseje për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe një kompjuteri portativ që e ka ndihmuar atë të gjente zërin e tij.

Megjithëse ai nuk flet dot, Benjamin Alexander ka mjaft për të thënë.

“Nuk jam budalla, sikurse mendonin disa njerëz,” thotë ai ndërsa shkruan fjalët dhe i ati shtrëngon shpatullat e tij. Ben nuk ka folur që nga mosha dy vjeçare, kur edhe u diagnostikua me autizëm dhe epilepsi. Prindërit ende e ndihmojnë me disa veprime rutinë.

Por, ajo që e dallon Benin është zëri i tij i brendshëm, të cilin e gjeti përmes të shkruarit. “Fëmijët marrin dhurata gjatë jetës, festave të Krishtlindjes apo ditëlindjeve,” tregon ai në një shkrim të publikuar në faqen elektronike të lajmeve lokale në Nju Orlins.

“Për mua, kutia dhuratë e autizmit përmbante një demon të kobshëm që grabiti fëmijërinë normale. Kush ma dhuroi mua këtë gjë? Nuk e dua. Merreni!”

Ben ishte një foshnje topolake dhe i qeshur që sapo kishte filluar të flasë. Kështu duket në këtë video regjistrim ndërsa loz me telefonin.

“Deri kur bëri 18 muaj, as nuk nuk na shkonte mendja. Por, ai nuk më shikonte më në sy. Nuk i tërhiqja dot vëmendjen as kur këndoja ninulla,” thotë mamaja Ellen Schneider. Përfundimisht, Ben u diagnostikua me autizëm.

Vetëm fjala autizëm kishte një konotacion të tmerrshëm. Ndihesha sikur ai kishte vdekur”, thotë babai i tij Sam Alexander.

Vetëm një ndër dhjetë të prekur me autizëm nuk flet. Por, vite terapi bënë që Beni të shkruante përmes tastierës në moshën tetë vjeçare.

“Mund të shihja në sytë e tij inteligjencën që ishte bllokuar brenda atij trupi, dhe e dija që duhet të gjenim një mënyrë për ta shprehur,” spjegon Judy Norduft, mësuesja e tij e arsimit special.

Ajo përdori atë që njihet si “komunikimi i ndërmjetësuar” me Benjamin. Mësuesja fillimisht kishte dyshime lidhur me këtë metodë të diskutueshme. Benjamin u diplomua nga shkolla e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe u pranua në Universitetin Tulane në Nju Orlins. Ai studion për gjuhë dhe letërsi angleze dhe ka rezultate të larta.

Sam, i ati i tij është gjithnjë me të në universitet. Ai reduktoi orët e punës si mjek gjinekolog që të jetë pika orientuese e të birit. Madje, ai i mban dorën Benit kur ai shkruan. Mamaja e Benit është okuliste.

“Nuk mendoj shumë për të ardhmen dhe mendoj se është një mendim i dëshpëruar. Por, gjërat ndryshojnë. Dhjetë apo pesë vjet më parë kurrë nuk do të mendoja që Ben do të arsimohej në Universitetin Tulane”, thotë ajo.

Ish-mësuesja e tij, Nodurft, thotë se gjthmonë ka besuar se Ben do të tejkalonte pritshmërinë e kufizuar për njerëzit joverbalë të prekur nga autizmi.

“Kur ai doli për marrë diplomën në shkollën e mesme, të gjithë ishin të habitur. Edhe kur të diplomohet në Tulane do të jem aty duke brohoritur sepse e kam ditur se kjo do të jetë e mundur. Nuk i mbaj dot lotët sepse e kam si fëmijën tim.”

Por, edhe Benjamin ka një shpirt të gjerë. Ai thotë se nuk është reklama e një të riu me autizëm, por shpreson se njerëzit do të përpiqen t’i lejojnë ata të dëgjohen.

XS
SM
MD
LG