Lidhje

Kelly, palët në Shqipëri të punojnë sëbashku


Kreu i misionit amerikan pranë OSBE-së në Vjenë, përgëzoi qytetarët e Shqipërisë për pjesëmarrjen paqësore dhe aktive në zgjedhje

Kreu i misionit amerikan pranë OSBE-së në Vjenë, Ian Kelly, përgëzoi qytetarët e Shqipërisë për pjesëmarrjen e tyre paqësore dhe aktive në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit dhe tha se Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të punojnë sëbashku për të çuar përpara zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë.

Puna e vështirë e ndërtimit të demokracisë nuk mbaron pasi numërohen votat dhe shpallen fituesit, tha ambasadori Kelly në një deklaratë përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vienë. Udhëheqësit politikë, tha ai, nuk do të gjykohen nga ajo që thonë, por nga ajo që bëjnë.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara nxisin qeverinë e ardhshme të Shqipërisë që të vazhdojë të forcojë shtetin ligjor, të rrisë standardet e të drejtave të njeriut, të promovojë qeverisje transparente dhe të përgjegjshme, të nxisë zhvillimin ekonomik dhe të punojë drejt reformave të qëndrueshme demokratike në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ambasadori Kelly tha se ky është një proces i cili, ashtu si përpara zgjedhjeve, do të kërkojë që edhe ata në opozitë të luajnë një rol konstruktiv. Ai i bëri thirrje opozitës së ardhshme që edhe ajo të angazhohet për të ardhmen e Shqipërisë.
XS
SM
MD
LG