Lidhje

Ide biznesi dhe trajtimi i punëtorëve

  • Ilrian Agolli

Kriza ekonomike dhe përshtatja më e mirë me kërkesat e tregjeve të lëkundura i ka shtyrë disa biznesmenë në Shqipëri që të përmirësojnë trajtimin e punëtorëve. Një firmë italiane në qytetin bregdetar të Durrësit ka çelur pranë ndërmarrjes një çerdhe dhe nje kopsht, ku punëtorët të mbajnë fëmijët e tyre. Kështu ato punojnë më shumë dhe më të qeta, ndërsa firma i dha fund në këtë mënyrë largimit të punëtorëve të kualifikuara për shkak të fëmijëve.



Kriza ekonomike dhe kërkesat e tregut i kanë shtyrë biznesmenët në Shqipëri që të gjejnë metoda të reja për të shtuar prodhimin, duke trajtuar më mirë punëtorët e tyre. Një nga rastet e rralla të bizneseve sociale sapo ka filluar të funksionojë në qytetin bregdetar të Durrësit, ku janë përqëndruar një numër i firmave me prodhime industriale dhe fasonerie.

Kujdesi më i madh social dhe ekonomik ndaj punëtoreve i ka sjellë menjëherë frytet e veta në firmën e biznesmenit italian Carmine Cipro. Ai thotë se prodhimet e firmës së tij tashmë shiten në tregjet e Bashkimit Europian, ndërsa porositë dhe prodhimi janë shtuar. Krahas shkathtësisë së firmës për të ndarë operacionet teknologjike të prodhimi një pjesë në Itali dhe një pjesë tjetër në Shqipëri, ai beson se një rol të madh në suksesin e tyre po luan edhe kujdesi më i madh ndaj punëtoreve shqiptare.

“Rreth 90 përqind e punëtorëve të firmës janë gra të reja në moshë. Ne humbisnim mjaft punëtore kur ato martoheshin dhe bëheshin me fëmijë, sepse nuk kishin ku të linin fëmijët. Ato trajnoheshin, pastaj lindnin dhe nuk vinin më këtu. Por edhe shumë nga punonjëset ekzistuese e kishin merakun dhe mendimet e tyre gjithë ditën në shtëpi ku kishin lënë fëmijët. Kjo është arsyeja që ne ngritëm çerdhen dhe kopshtin e fëmijëve pranë firmës tonë dhe punëtorët i kanë fëmijët të sigurtë dhe shumë pranë. Po ashtu ne siguruam edhe një sërë shërbimesh të tjera sociale për gratë, shërbime mjekësore, ekzaminime laboratorike etj” - thotë ai.

Firma ka rreth 300 punëtore femra dhe shumë prej tyre pohuan se janë të kënaqura me këtë vendim të firmës, që të kujdeset për fëmijët e tyre, dhe ato punëojnë më të qeta, kur e dinë se fëmijët janë aty pranë. Sonila i ka dy fëmijët 2 vjeç e gjysëm dhe ata qëndrojnë tek kopshti i ndërmarrjes. Ajo ka 8 vjet që punon në këtë firmë. Ndërsa Mimoza ka 10 vjet që punon në këtë firmë, dhe ajo e dërgon fëmijën e dytë në një kopsht që e paguan firma pjesërisht, e cila u siguron edhe mjekime dhe kontrolle shëndetësore.

Firmat italiane zënë pjesën dërrmuese të firmave të huaja në zonën e Durrësit. Ato po punojnë në Shqipëri, ndërsa ekonomia italiane është përfshirë në krizën e eurozonës. Biznesmenët italianë po përpiqen të përshtaten sa më mirë me kushtet e favorshme që ofron Shqipëria si krahu i lirë i punës, përhapja e gjuhës italiane dhe afërsia me vendin fqinj përtej detit Adriatik. Ata po përshtatin gjithashtu edhe industritë italiane me ato shqiptare, si edhe rregulla më të mira në trajtimin e punëtorëve.
XS
SM
MD
LG