Lidhje

Dokument identifikimi për të votuar


Zgjedhjet paraprake në Uiskonsin do të jenë testi i parë i ligjit të miratuar që kërkon që votuesit të identifikohen. Kritikët thonë se kërkesat e reja për dokumente identifikimi për të votuar janë shumë kufizuese dhe do të largojnë votuesit, ndërsa mbështetësit thonë se janë të nevojshme për të parandaluar manipulimet elektorale.

Në një mëngjes me shi në kryeqytetin e shtetit Wisconsin, Madison, Molly McGrath është nisur me një mision.

Ajo është koordinatore kombëtare për një organizatë jofitimprurëse, e cila nxit njerëzit të votojnë. Këtë mëngjes ajo ka në makinë Tammy Dotson.

Janë duke shkuar tek departamenti i qarkullimit rrugor, ku zonjës Dotson i duhet të aplikojë për një kartë identifikimi, por jo për t’i dhënë makinës:

“Dikush më mori në telefon për të më njoftuar se tashmë do të duhet një dokument identifikimi për të votuar.”

Zgjedhjet paraprake të 5 prillit janë të parat kur votuesit duhet të paraqiten me një mjet identifikimi. Ligji konsiderohet si ndër më të rreptit në SHBA dhe ka filluar të testohet në qendrat e votimit të hershëm.

“E shikoj si një hap prapa, pasi njerëzit po privohen nëpërmjet ligjit. Jemi duke kufizuar të drejtën e votës. Nuk po e rrisim.”- thotë një votuese.

Tammy Dotson mendon se ligji i ri mund të largojë votues të mundshëm:

“Sa t’i hyjnë kësaj angarie, e shtyjnë më mirë për një herë tjetër dhe si përfundim nuk e realizojnë kurrë.”

Gjykata e Lartë refuzoi në vitin 2015 të shqyrtojë një çështje kundër ligjit për identifikimin e votuesve në Wisconsin. Tashmë që votimet e hershme kanë filluar, organizata e zonjës McGrath po punon të eliminojë pengesat për të përftuar një dokument identifikimi për të votuar. Përveçse që i transportojnë aplikantët me makinë, ata gjithashtu po mundohen të informojnë sa më shumë persona:

“Janë rreth 300 mijë votues të regjistruar në Wisconsin që nuk kanë mjet identifikimi. 16% e votuesve nuk janë informuar se u duhet një mjet identifikimi për të votuar. Pra, ka shumë keqinformim dhe ndikohen shumë njerëz.”

John Sharpless është profesor historie dhe ish-kandidat republikan për në Kongres. Ai thotë se shqetësimet për manipulime zgjedhore apo për largimin e votuesve janë të pabazuara:

“Ideja që një grua në moshë të vjetër që ka votuar prej dekadash, nuk do të votojë dot më, është e ekzagjeruar. Është thjesht momenti i tranzicionit tani, që do të jetë i vështirë.”

Por, zonja Dotson thotë se falë punës së organizatave si “Vote Riders”, ekzistojnë të gjitha kushtet për të votuar:

“Mund të shkosh me ta tek zyra e dokumentacionit. Mund të shkosh me autobuz, ose të të ofrojnë një taksi falas. Pra, nuk ka asnjë justifikim për të mos votuar.”

Zonja Dotson është tashmë gati të hedhë votën me dokumentin e saj të ri të identifikimit.

XS
SM
MD
LG