Lidhje

Greqi: Fillon evakuimi i kampit të refugjatëve në Idomeni


Autoritetet greke filluan evakuimin e kampit të refugjatëve në Idomeni në agimin e së martës. Të paktën 400 pjesëtarë të policisë janë dërguar në kamp ku vlerësohet se janë mbi 8 mijë e 400 refugjatë. Autoritetet greke janë zotuar se nuk do të përdorin forcën për evakuimin e refugjatëve.

Kampi, një vendbanim joformal që u ngrit në një vendkalim për këmbësorë ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, qe populluar me rreth 12 mijë refugjatë kur Maqedonia i mbylli kufijtë e saj në muajin mars. Që atëherë Greqia është përballur me një rritje dramatike të problemit të refugjatëve të pastrehë dhe kjo bëri që autoritetet t'u bëjnë thirrje migruesve në Idomeni që të zhvendosen në kampe të organizuara.

Disa prej tyre, kryesisht sirianë, afganë dhe refugjatë irakianë janë pajtuar me autoritetet, me shpresë se kampet formale do të ofrojnë kushte më të mira jetese. Por, shumë të tjerë ngurrojnë që të largohen nga frika se në kampet e reja nuk do të jetë më mirë, madje mund të jetë më keq dhe zhvendosja mund të vonojë vendosjen e tyre në Evropë.

Një marrëveshje është arritur ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian, në përpjekje për të zvogëluar valën e migruesve në Greqi, Sipas saj, refugjatët që arrijnë në ishujt grek nga Turqia do të kthehen prapa.

Vetëm pak migrues kërkojnë strehim në Greqi me shpresën se do të arrijnë në vende ekonomikisht më të fuqishme si Gjermania apo Suedia.

Analistët thonë se prania e tre milionë migruesve në Turqi e bënë atë vendin më të madh mikpritës të personave të zhvendosur, pjesë e asaj që Kombet e Bashkuara e kanë cilësuar si krizën më të rëndë humanitare që nga Lufta e Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG