Lidhje

Të drejtat njerëzore dhe shkeljet në Shqipëri

  • Ilirian Agolli

Avokati i popullit, Igli Totozani, festoi sot ditën ndërkombëtare të të drejtave njerëzore më nje grup fëmijësh të mbyllur prej frikës së gjakmarrjes, në përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndaj kësaj dukurie të dhunshme. Disa shoqata që i ndihmojnë këta fëmijë që të vazhdojnë mësimin, dhe jetesën me nevojat më të domosdoshme u bashkuan me avokatin e popullit në këto festime dhe dhurata. Zoti Totozani thotë se “shoqëria është bërë më e ndjeshme dhe më e ndërgjegjshme ndaj të drejtave njerëzore”.



Një vit më parë, avokati i popullit i mbushi zyrat e institucionit të tij me disa familje rome që i gjeti në qiell të hapur në mes të dimrit, por edhe sot qendra që iu caktua në Sharrë është e pabanueshme. “Ky grup dhe pakicat e tjera - thotë zoti Totozani - vuajnë shkelje të rënda të të drejtave njerëzore”.

Në ditën ndërkombëtare të të drejtave njerëzore avokati i popullit thotë se ka përmirësime në kushtet e burgjeve dhe në paraburgimet e policisë. Megjithatë problemet janq aq të shumta në jetën e përditshme jashtë qelive. Zoti Totozani thotë se “janë pakësuar ose janë zhdukur fare subvencionet ndaj të sëmurëve dhe personave me aftësi të kufizuar, duke i lënë ta pambrojtur përballë çmimeve të energjisë, transportit, telefonisë”.

“Një tjetër shkelje e rëndë e të drejtave njerëzore - thotë zoti Totozani - është dhuna ndaj grave, për të cilën parlamenti dhe policia nuk po reagojnë”. Avokati i popullit mendon se të drejtat e njeriut janë një fushë ku duhet punuar përditë në teren, dhe jo thjeshte të trajtohen nëpër konferenca teorike brenda zyrave dhe hoteleve luksoze. Sipas tij, moria e shkeljeve të të drejtave njerëzore në Shqipëri meriton më tepër përkushtim dhe vëmendje nga të gjithë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG