Lidhje

Tiranë: Komenton Avokati i Popullit


Avokati i Popullit, Igli Totozani, i kërkoi sot parlamentit që familjet e varfëra të furnizohen me energji elektrike, edhe pse nuk mund ta paguajnë.

Ai paraqiti disa propozime si të ndihmohen familjet në varfëri ekstreme, të cilave iu është ndërprerë furnizimi me energji elektrike për mospagimin e faturave.

Avokati i Popullit i kërkoi që OSHEE t'u ofrojë familjeve të varfëra furnizim dhe lehtësira për pagesat e energjisë elektrike, sepse, sipas tij, nevojiten programe për konsumatorët në nevojë.

Ai tha se të varfërit nuk duhen privuar nga e drejta për akses në furnizimin minimal me energji elektrike, pra vetëm për ndriçim, ndaj kjo kërkon një paketë ligjore të menjëhershme.

Sipas tij, ministria e energjisë dhe ajo e mirëqenies sociale duhet të studjojnë familjet në varfëri ekstreme dhe absolute, të cilët po mbijetojnë me ushqime të pakta dhe të ngrenë një sistem data-bazë për këto familje.

Avokati i Popullit tha se janë rritur ndjeshëm ankesat për ndërprerje të energjisë elektrike nga pamundësia për të paguar faturat. Sidomos këtë dimër, furnizimi me energji elektrike u vështirësua për grupet e cënueshme dhe në risk.

Statistikat tregojnë se mbi 14% e familjeve jetojnë në varfëri absolute, pra me 40 dollarë në muaj, dhe mbi 2% jetojnë në varfëri ekstreme.

Mbi 7% e familjeve trajtohen me ndihmë ekonomike, ndërkohë që mungon llogaritja e minimumit jetik, si bazë studimore e standardit të jetesës në Shqipëri.

Por, në realitet numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje është shumë më i madh.

Direktiva e Komisionit Europian mbi tregun e energjisë elektrike, thekson se shteti duhet të sigurojë një seri të drejtash për furnizimin me energji, pa diskriminim, duhet të mbrojë konsumatorin e cenueshëm dhe të mos i ndërpresë furnizimin me energji elektrike.

Mbrojtja sociale dhe ekonomike e grupeve të cenueshme vlerësohet si detyrë urgjente, për shkak se familjet në nevojë ekstreme nuk sigurojnë mbijetesën dhe jo më të përballen me faturat.

Varfërinë e tyre e thellon më tej ndërprerja e furnizimit me energji elektrike për këto grupe.

Rekomandimet e Avokatit të Popullit vlerësohen si të realizueshme edhe prej faktit se situata financiare e OSHEE po përmirësohet.

OSHEE njoftoi sot se gjatë 2015 ajo doli me fitim për herë të parë pas shumë vitesh dhe ka ulur nga 38 në 30 për qind humbjet e energjisë në rrjet.

Janë instaluar 34 mijë matësa të reja, u kryen mijëra lidhje të reja në banesa dhe afro çereku i fitimeve të mbledhura do të riinvestohen në rrjetin e dëmtuar rëndë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG