Lidhje

Avokati i Popullit kërkon hapjen e dosjeve të Sigurimit


Avokati i Popullit u kërkoi sot parlamentit, grupeve të deputetëve, partive politike dhe qeverisë që të miratojnë së bashku një ligj për hapjen e dosjeve të shërbimit sekret, si një hap themelor në respekt të të drejtave dhe lirive të njeriut. Avokati i Popullit bëri të ditur se ka marrë shumë ankesa nga ish të persekutuar politikë, ku theksohet se shoqëria meriton të dijë se kush e qeveris, përmes një procesi transparent të hapjes së dosjeve.

“Një nga çështjet e vonuara dhe ende të pazgjidhura të shoqërisë sonë, e cila vjen nga një eksperiencë paskomuniste, mbetet miratimi i një ligji gjithëpërfshirës e të mbështetur në parimet e një shoqërie demokratike, për hapjen e dosjeve. - thekson avokati i popullit në rekomandimet që u ka drejtuar drejtuesve të parlamentit, të qeverisë, të grupeve parlamentare dhe partive politike. - Që pas ndryshimeve demokratike në fillim të viteve 90’ nevoja për këtë ligj ka qenë e përhershme si një kërkesë e brendshme dhe e natyrshme e një shoqërie, e cila kërkon të ndahet nga e kaluara totalitare dhe antivlerat e saj dhe ku procesi i verifikimit të së shkuarës shihet si një nga mënyrat e nxjerrjes së drejtësisë historike, kapërcimit të së kaluarës së hidhur dhe bërjes së transparencës në jetën publike”.

Sipas vlerësimeve të avokatit të popullit, përpjekjet e bëra deri tani kanë rezultuar të pasuksesshme në respektimin e normave, parimeve dhe vlerave demokratike të shtetit të së drejtës. Ai rekomandoi që ligji për hapjen e dosjeve duhet të jetë një produkt gjithëpërfshirës dhe konsensual. “Një proces real i hapjes së dosjeve në vend do të bëjë transparencën e krimeve dhe pasojave të tyre nga sistemi i mëparshëm dhe do të sigurojë qytetarët se klasa aktuale qeverisëse dhe individë në poste publike, apo edhe përfaqësues të shoqërisë civile, nuk do të mbartin paragjykimin dhe frymën antidemokratike të përsëritjes të asaj ç’ka ndodhur në të shkuarën” - theksoi avokati i popullit.

Historianë dhe studiues mendojnë se Shqipëria mund të mësojë shumë nga vendet e Europës lindore ish-komuniste, ku janë ndriçuar krimet e diktaturave dhe ku qytetarët kanë lexuar dokumentet e përndjekjes së tyre. Sipas tyre, Shqipëria e ka të nevojshëm miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Puna për miratimin e një ligji të tillë ka nisur në fillim të viteve 90’, me miratimin e ligjit “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”. Parlamenti miratoi një rezolutë në vitin 2006 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”. Dy vjet më vonë u miratua një ligj “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese, sepse cënonte parimet e Kushtetutës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG