Lidhje

Ikonat dhe vlerat e tyre historike dhe artistike

  • Nikoleta Iliç

Veç vlerave historike, ikonat janë të njohura për vlerat e atyre arstistike. Ikonografja Colette Kalvesmaki, përfundoi kohët e fundit riprodhimin e ikonës së Shën Pjetrit, të shekullit të 13-të, në muzeun e Uashingtonit Dumbatron Oaks. Për realizimin e veprës së saj ajo përdori materiale tradicionale, si dhe teknika mesjetare. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ajo flet edhe për ndryshimet midis ikonave mesjetare ruse dhe atyre bizantine.

Ikonografja Colette Kalvesmaki thotë se ajo u rrit në një familje jo fetare, por pas një vizite në Japoni në moshën 19 vjeçare, ajo gjeti frymëzim tek Krishtërimi.

“Në fillim unë studiova arkeologji dhe punova si arkeologe në Greqi, si dhe këtu në kontinentin amerikan. Një vit pasi u diplomova vazhdova studimet për master në Teologji Ortodokse, tek seminari ortodoks i Shën Vladimirit, në Nju Jork. Më pas, u transferova në Boston, ku banoja pranë një ikonografeje ruse me famë botërore, Kseniya Pokrovskaya, dhe kështu studiova me të intensivisht për tre vjet.”

Zonja Kalvesmaki thekson disa dallime midis ikonave mesjetare ruse dhe atyre bizantine. Një nga këto ndryshime është mënyra e aplikimit të ngjyrave.

“Instruktorja ime përdorte atë që quhet teknika e penelit të thatë, dhe kjo bëhej për të zhvendosur ngjyrat në mënyrë delikate mbi fytyrë dhe mbi rrobat e figurës, ndryshe nga teknika e kësaj ikone këtu, e cila është teknikë bizantine e shekullit të 13-të. Ngjyrat e saj janë paksa të ftohta. Aty mund të ketë ngjyrë të kuqe, por në Rusi kjo ishte mbizotëruese, pra këto ngjyra të ngrohta. Në Bizant, pastaj kemi dhe figura më të shkurtra, të paktën deri në shekullin e 15-të. Më pas ata filluan t’i zgjasnin, ashtu siç bëhej në veri. Ikonat bizantine përmbajnë shprehje intensive emocionesh, të cilat zbuten nëse zhvendosemi në vendet sllave. Gjithashtu, zakonisht në to nuk paraqitet profili i figurës, përveç se në disa raste kur në ikonë kemi një djall ose kafshë, por jo kur kemi një shenjt. Ata nuk pikturonin as shpinën pasi në atë mënyrë do të kishim një lloj mbylljeje të imazhit.”

Ikonën e Shën Pjetrit, që pikturoi në muzeun Dumbarton Oaks, ajo e pa për herë të parë rreth 7 vjet më parë, dhe ajo thotë se është disi unike:

“Pikë së pari, ai ka çelësa të varura rreth qafës. Askund nuk e kam parë Shën Pjetrin me çelësat rreth qafës. Ai zakonisht i mban ato në dorën e djathtë. Disa herë në të majtën, dhe kjo ishte gjëja e parë që më bëri përshtypje. Ai ka një dorë më të dobët dhe kjo përngjason me artin e Kretës. Ka disa elementë që nuk gjenden në të njëjtin vend. Si për shembull motivi tek balli i tij është shumë unik. E kam vënë re vetëm tek ikonat maqedonase ose serbe të shekujve 13 dhe 14. Forca e shprehjes së emocioneve më bën shumë përshtypje. Ai ka gjithashtu një kryq që mund të shihet vetëm nga afër. Së fundmi, nuk mund të lë pa përmendur faktin që ai mban në dorë një shkop kleriku dhe imazhi i vetëm i ngjashëm më të që unë kam parë ishte në malin Sinai.”

Colette Kalvesmaki ka krijuar shumë ikona për kisha të ndryshme në zonën e Uashingtonit, dhe ajo thotë se shpreson të vazhdojë me punën e saj.

XS
SM
MD
LG