Lidhje

Kreu i ILDKP, Nishani ankim në Kushtetuese


Presidenti kërkon shpalljen si të “papajtueshëm me kushtetutën” shkarkimin nga parlamenti të zonjë Zana Xhuka dhe emërimin në vend të saj të zotit Shkëlqim Ganaj

Në Shqipëri Presidenti Bujar Nishani i është drejtuar Gjykatës kushtetuese lidhur me vendimin e parlamentit të 20 shkurtit për shkarkimin e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive Zana Xhuka dhe zëvendësimin e saj me zotin Shkëlqim Ganaj.

Kreu i Shtetit Nishani konsideron se duke qenë se “mes parlamentit dhe Presidentit të Republikës është krijuar një konflikt kompetencash”, Gjykata Kushtetuese duhet të ndërhyjë për “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës” mes palëve. Ai kërkon njëkohësisht që edhe vendimi i parlamentit të deklarohet si “i papajtueshëm me Kushtetutën”.

Ky veprim i presidentit Nishani ishte paralajmëruar prej tij në media, ndërsa kishte folur për një “uzurpim nga ana e shumicës së kompetencave të tij”. Cështja e kreut të Inspektoriatit të Deklarimit të pasurive ishte objekt debatesh të zjarrta javën e shkuar edhe në parlamentin shqiptar. E djathta kërkoi anullimin e vendimit të cilin e cilëson si përpjekjen e radhës të së majtës për vënien nën kontroll të institucioneve të pavarura, ndërsa shumica e mbrojti atë duke thënë se kishte vënë në vend një akt të paligjshëm të parlamentit të kaluar i cili sipas saj kishte emëruar zonjën Xhuka duke shkelur kriteret.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG