Lidhje

Emërimi i i kreut të ILDK-së, i hiqet e drejta presidentit

  • Armand Mero

Mbi 13 orë debate të forta në parlament. Ngrihet komisioni hetimor për akuzat e përfshirjes së ushtrisë në trafik droge. Publikohet shkresa e shërbimit sekret “sinjalizime për avion në bazën e Gjadrit”

Në Shqipëri parlamenti u përfshi mbrëmë në debate që zgjatën deri në mesnatë për disa cështje të cilat kanë qenë në qendër të polemikave të forta politike. Me votat vetëm të shumicës u miratua propozimi i kësaj të fundit që drejtuesi i Inspektoriatit të deklarimit të pasurive, ILDKP, të emërohet nga parlamenti e jo më përmes kandidaturave të presidentit të Republikës. Vetëm me votat e së majtës u miratua edhe ndryshimi i përbërjes së komisionit për reformën territoriale, për të zhbllokuar pamundësinë e aktivitetit të tij për shkak të refuzimit të opozitës për të marrë pjesë në të. Kjo e fundit ndërkohë do të përfshihet në komisionin për hetimin e akuzave për dyshimet mbi përfshirjen e forcave të armatosura në trafik droge, ndonëse kundërshtoi objektin e hetimit.Ndërkohë mbrëmë televizioni News 24 publikoi një shkresë të shërbimeve sekrete për sinjalizimet mbi një avion të ulur në bazën e Gjadrit


Ndryshimet në ligjin për deklarimin e pasurive të zyrtarëve të lartë kanë zënë pjesën më të madhe të seancës së mbrëmshme e cila ka zgjatur afër 13 orë. Ndërsa palët ranë dakort me propozimet të cilat synojnë forcimin e rolit të këtij institucioni, ato janë ndarë lidhur me kalimin e kompetencës për propozimin e drejtuesit të Ispektoriatit nga Presidenti te parlamenti.

Përfaqësuesit e opozitës e kanë cilësuar këtë propozim si një goditje ndaj Kreut të shtetit përmes reduktimit të kompetencave të tij. Ish kryeministri Sali Berisha, protagonisti kryesor i debateve të mbrëmshme në parlament, këmbënguli se fryma e kushtetutës dhe parimi i kontrollit të pushteteve bëjnë që atij t’i njihet kjo kompetencë. Por përfaqësuesit e shumicës shpjeguan se sipas tyre kompetencat e presidentit janë të përcaktuara qartë në kushtetutë. Opozita gjithashtu deklaroi se sipas saj, kjo është një përpjekje për të vënë nën kontroll një institucion që duhet të kontrollojë mes të tjerash edhe qeveritarët. Ndërkohë që deputetët e majtë e konsideruan kundërshtimin e opozitës si një frikë të saj ndaj kontrollit që mund të bëhet ndaj pasurive të tyre.

Reforma territoriale

Cështja tjetër e cila parashikohej të shoqërohej gjithashtu me debate, ishte ajo per ndryshimin e numrit të anëtarëve të komisionit për reformën territoriale. Ndryshimi, i cili shton një anëtar të shumicës, ishte kërkuar nga përfaqësuesit e kësaj të fundit, për t’i hapur rrugë funksionimit të komisionit. Aktiviteti i tij mbeti pezull për më shumë se tre muaj, pasi opozita, së cilës i është njohur një numër i barabartë anëtarësh ka refuzuar të marrë pjesë. Deputetja demokrate Jorida Tabaku akuzoi shumicën se e sheh këtë reformë “vetëm si një mbulesë për të arritur qëllimet e një pushteti oligarkik dhe për përfitime elektorale”. Sipas saj e majta ngriti “një komision estradë” duke e vënë opozitën “para zgjedhjes së pa pranueshme”, ndërsa u refuzua sic tha ajo që reforma të kalonte me konsensus në sallën e parlamentit.

Shumica është e vendosur që ta përmbyllë reformën territoriale. Kryetari i Komisionit parlamentar të ngritur për këtë qëllim Bashkim Fino deklaroi se opozita është e mirëpritur të kthehet në komision dhe se asaj do ti garantohej sërish përfaqësim i barabartë. Ndryshimi u miratua vetëm me votat e së majtës.

Hetim akuzave për trafikun e drogës

Opozita ndërkohë vendosi të bëhet pjesë e një tjetër komisioni, atij që do të hetojë mbi akuzat për përdorim të bazave të ushtrisë për trafik droge, një cështje e cila prej dy javësh ka cuar në një përplasje të fortë mes palëve. Ishte opozita ajo e cila deklaroi se kishte të dhëna për mundësinë e një trafiku të tillë në ish bazën ajrore të Gjadrit, në veri të vendit. Mbrëmë televizioni Neës 24 bëri publike një shkresë të shërbimeve sekrete dërguar ministrisë së Mbrojtjes ku shkruhet se “nga të dhënat në proces verifikimi” shërbimi sekret është informuar se 19 marsin e kaluar në pistën e aerodromit të Gjadrit është ulur një avion i vogël sportiv i cili “vjen dhe ulet shpesh herë në aerodromin e Gjadrit” thuhet në shkresën, sipas së ciliës, në pistë më pas është shfaqur dhe një furgon me targa të Vlorës. Shërbimi sekret shprehet se bazuar në indiciet e tij dyshohet se “ardhja e këtij avioni ka pasur për qëllim transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike”

Po sipas kësaj shkrese, agjentët e SHISH-it si dhe punonjës të policisë kontaktuan me ushtarakët e bazës së Gjadrit të cilit kishin deklaruar se nuk kishin konstatuar ndonjë avion, ndërsa banorë të zonës ishin shprehur për të kundërtën. Shkresa shpjegon se një sinjalizim i mëparshëm është bërë edhe nga shërbimet sekrete të ushtrisë në tetorin e vitit të kaluar, ndërsa saktëson se ka filluar “punën operative për mbledhjen e të dhënave me qëllim vërtetimin e dyshimeve se në aerodromin e Gjadrit ulen avion të vegjël, me funksion të transportit të drogës dhe trafikimit të saj jashtë vendit”.

Po e njëjta shkresë bën të ditur se nga ana e shërbimeve sekrete “janë evidentuar dhe raste të tjera që lidhen me përdorimin e avionëve të vegjël për trafikimin e drogës nga Shqipëria jashtë vendit, në zonën e Lushnjes dhe Gjirokastrës” dhe se për këtë janë njoftuar dhe strukturat e policisë.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi javën e shkuar në parlament se nuk ka “asnjë fakt apo provë të vërtetuar që forcat e armatosura të jenë përfshirë në trafik droge”. Komisioni hetimor është kërkuar nga shumica. Opozita kërkoi zgjerimin e objektit të hetimit edhe mbi shtimin e trafiqeve të drogës, pasi sipas saj është e turpshme që komisioni ngrihet për të hetuar deputetët e saj që ngritën dyshimet. Të djathtët nuk votuan në favor të ngritjes së komisionit por 4 deputetë të saj do të jenë pjesë e tij, me qëllim që sipas tyre, të bëhet transparencë mbi një ngjarje kaq të rëndë.

Për këtë cështje edhe Prokuroria ka nisur verifikimet paraprake, pas kërkesës së ministrisë së Mbrojtjes për hetime.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG