Lidhje

Parlamenti dhe bojkoti i opozitës


Kryetari i parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, tha se është i mirëpitur çdo propozim i opozitës, që ndihmon rritjen e transparencës së kuventit. Ai pohoi se i kemi plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës, edhe ato për komisionet hetimore, edhe ato për të drejtën e fjalës në parlament.

Partia Demokratike e opozitës ka bojkotuar prej 6 muajsh punimet e parlamentit, pas një sulmi të dhunshëm fizik të një deputeti të shumicës ndaj një deputeti demokrat. Seanca e fundit është afati i fundit, që deputetëve opozitarë mund t'u skadojnë mandatet.

“Janë plotësuar të gjitha kushtet, janë pjekur të gjitha rrethanat që opozita të përmbushë të gjitha detyrimet e saj kushtetuese dhe parlamentare para votuesve të saj në radhë të parë dhe para vendit” - tha kryetari i parlamentit.

Zoti Meta i bëri këto komente pas një takimi me kryeministrin Edi Rama dhe ndërkohë që po merrte pjesë në një takim me përfaqësues të OSBE-së, të shoqërisë civile dhe të parlamentit. Ata diskutuan një projekt mbi pjesëmarrjen e publikut në procesin vendimmarrës të parlamentit.

Kryetari i Zyrës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig, tha se Shqipëria ka nevojë për një parlament transparent, llogaridhënës dhe reagues ndaj kërkesave që i vijnë nga zgjedhësit. Ai tha se deputetët duhet të dëgjojnë e t'i përfaqësojnë zgjedhësit e tyre dhe t'u plotësojnë nevojat që shprehin.

“Ne po punojmë për të nxitur një kulturë dialogu dhe gjithëpërfshirje, për të krijuar një shkëmbim pozitiv informacioni dhe opinionesh. Kjo për arsyen se sa më shumë të dijë publiku mbi aktivitetet e parlamentit, aq më mirë mund t’i shprehë preferencat e veta dhe t’i mbajë përfaqësuesit e vet të përgjegjshëm. Sa më shumë parlamentarët të dinë në lidhje me nevojat dhe shqetësimet e elektoratit të tyre, aq më shumë mund të vihen në lëvizje” - tha ambasadori i OSBE-së.

Situata e krijuar prej bojkotit midis të majtëve dhe opozitës pritet të marrë një zgjidhje të shpejtë në orët e fundit të punës për këtë vit, falë ndikimit të diplomatëve ndërkombëtarë. Kompromisi mund të kthejë opozitën në parlamentit pas 6 muajsh bojkoti, që sipas saj, erdhi ngaqë qeveria nuk po zbaton vendimet e gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri Rama dhe drejtuesi i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishin këto ditë në Parlamentin Europian dhe në takime me politikanë të njohur europianë u diskutua mbi përmirësimin e marëdhënieve pozitë - opozitë në Shqipëri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG