Lidhje

Ilir Zherka, delegat në kuvendin demokrat


Zoti Zherka tha për Zërin e Amerikës se nuk e habit fakti që entusiazmi me të cilin u prit Barack Obama në 2008-n, tani ka shënuar një rënie të madhe

Ilir Zherka, delegat i Partisë Demokrate në kuvendin e saj kombëtar që po zhvillohet në Sharlot, i tha Zërit të Amerikës se nuk e habit fakti që entusiazmi me të cilin u prit zoti Barak Obama në vitin 2008, tani ka shënuar një rënie të madhe. Ai e shpjegon këtë me vështirësitë e mëdha që ka kaluar vendi. Zoti Zherka, i cili punon për organizatën DC Vote, duket se është delegati i vetëm shqiptaro-amerikan në kuvendin e Partisë Demokrate.

Zëri i Amerikës: Me këtë nivel të lartë papunësie në Shtetet e Bashkuara, cilat mendoni se janë argumentet që do të përdorë Presidenti Obama për t’u mbrojtur nga sulmet e republikanëve?

Ilir Zherka: Mos harroni se kur Barak Obama erdhi në Shtëpinë e Bardhë, ne po kalonim katastrofën më të madhe ekonomike në këtë vend të 70-80 vjetëve të fundit. Gjatë katër viteve që ka qenë president, ai ka ndihmuar për krijimin e më shumë vendeve të punës se sa gjatë 8 viteve kur George Bush ishte president. Na mbetet më shumë punë për të bërë dhe do të na ndihmonte shumë nëse do të kishim një paketë të re stimulimi për ndërtimin e rrugëve, urave dhe infrastrukturave të tjera, por republikanët e kanë bllokuar këtë. Megjithatë, ekonomia po ecën në drejtimin e duhur dhe do të vazhdojë kështu.

Zëri i Amerikës: A jeni i zhgënjyer që entusiazmi me të cilin u prit Obama para katër vjetëve tani thuajse ka avulluar?

Ilir Zherka: Kjo nuk më habit. Zgjedhjet e 2008-s ishin mjaft të veçanta. Kishim të bënim me afrikano-amerikanin e parë në historinë e vendit që kishte vërtet rastin për të fituar presidencën. Gjithashtu, kjo ishte një garë mjaft e ndezur me zonjën Hillary Clinton, pra kishim të bënim me entusiazmin e të dyja fushatave. Pra, ato ishin zgjedhje historike, ndërsa tani kemi të bëjmë me një fushatë të rregullt zgjedhore dhe prandaj ekziston një përshtypje e tillë.

Zëri i Amerikës: Lidhur me politikën e jashtme, Presidenti Obama ka patur një farë suksesi, por kjo nuk po ndihet shumë në këtë fushatë. Cili është shpjegimi juaj?

Ilir Zherka: Republikanët nuk duan të flasin mbi politikën e jashtme të presidentit, Ata nuk e përmendën thuajse fare politikën e jashtme gjatë kuvendit të tyre javën e kaluar, madje fjala Afganistan nuk u përmend në fjalimin e Mitt Romney-t. Presidenti Obama ka arritur mjaft suksese në politikën e jashtme, dhe mund të mburret me to. Sidomos për Ballkanin dhe Kosovën, Presidenti ka qenë shumë përkrahës për Kosovën dhe për njerëzit në Ballkan.

Zëri i Amerikës: Mendoni se kandidati Obama do të bëjë një fushatë negative kësaj here?

Ilir Zherka: Për fat të keq, në një fushatë të tillë, secila palë përpiqet të karakterizojë palën rivale. Në këtë rast, republikanët po përpiqen ta karakterizojnë presidentin si një karrige të zbrazët. Por karrigia e tij nuk është e zbrazët. Republikat filluan ta kundërshtojnë presidentin që ditën e parë kur ai bëri betimin. Që në atë kohë, një grup udhëheqësish republikanë u mblodhën në Uashington, dhe deklaruan se do të luftojnë pa asnjë kompromis kundër presidentit Obama. Pra, kjo ka qenë natyra e kësaj beteje. Ajo ka qenë negative në pikpamjen e politikës, negative në kuptimin e retorikës, me deklaratat e pavërteta që bën pala tjetër të drejtuara ndaj presidentit.

XS
SM
MD
LG