Lidhje

Petroviç: Politika e Serbisë ndaj Kosovës të drejtohet nga realiteti, jo nga e kaluara

  • Ilir Ikonomi

Petroviç: Politika e Serbisë ndaj Kosovës të drejtohet nga realiteti, jo nga e kaluara

Petroviç: Politika e Serbisë ndaj Kosovës të drejtohet nga realiteti, jo nga e kaluara

Zv/kryeministri i Kosovës dhe ministri i pushtetit lokal, Sllobodan Petroviç, thotë se politika e Serbisë ndaj Kosovës duhet të jetë e drejtuar nga realiteti dhe jo nga e kaluara. Zoti Petroviç, i cili vizitoi dje studiot e Zërit të Amerikës, tha se barrikadat në veriun e Kosovës pengojnë jo vetëm lëvizjen e njerëzve por edhe funksionimin e jetës së përditshme.

Zëri i Amerikës: Cila është rrugëdalja nga situata aktuale në veriun e Kosovës ku në njërën anë kemi barrikadat dhe nga ana tjetër forcat e NATO-s?

Sllobodan Petroviç: Është fakt se barrikadat nuk janë dicka që sjellin përparim dhe sigurisht që ato pengojnë më tepër njerëzit që jetojnë atje. Por, kur flitet për veriun e Kosovës, kjo është diçka që vazhdon prej vitesh, është njëfarë simbolike e zhvillimeve. Sidoqoftë, mendoj se bashkë me komunitetin ndërkombëtar, do të gjendet një zgjidhje që do të çojë në mënjanimin e barrikadave të cilat pengojnë jo vetëm lëvizjen e njerëzve por edhe funksionimin e jetës së përditshme.

Zëri i Amerikës: Por, a do të integrohet ndonjëherë veriu i Kosovës?

Sllobodan Petroviç: Unë jam në gjendje të shoh se shumica e njerëzve që kritikojnë disa veprimtari tonat, nuk arrijnë të shohin pasqyrën reale të situatës. Ne kemi dokumentin që është mbështetur nga shumcia e vendeve të komunitetit ndërkombëtar, që është plani i Martti Ahtisaarit, i cili është zbatuar në Kushtetutën e Kosovës. Në kuadër të këtij plani, ka hapësira dhe mundësi të mjaftueshme që të punohet për mbrojtjen e interesave të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera pakicë. Mendoj se në kuadër të këtij plani është zgjidhja për tejkalimin e kësaj krize. E di se ai plan nuk është ideal. Mendoj se edhe Serbia do të kishte një rol të rëndësishëm në atë proces dhe do të mund të ndihmonte në forcimin e komunitetit serb por njëkohësisht edhe në rrugën e integrimeve evropiane të vetë Serbisë.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni për propozimet rreth planit të ashtuquajtur Ahtisaari plus?

Sllobodan Petroviç: Plani Ahtisaari plus është dicka që mund ta dëgjoni në media. Deri tani ai nuk është paraqitur si ndonjë dokument serioz nga askush dhe kjo besoj se e shpjegon vetë këtë çështje. Megjithëse plani i Martti Ahtisaarit nuk është ideal, në këto kushte është një mundësi për të gjitha komunitetet, sidomos për komunitetin serb. Ai i krijon hapësirë dhe mundësi Serbisë që ta ndihmojë komunitetin serb në mënyrë konkrete. Pra Ahtisaari Plus nuk është diçka reale ndërsa plani i zotit Ahtisaari është real dhe i konkretizuar në Kushtetutën e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Meqenëse ju i përkisni komunitetit serb dhe merrni pjesë në institucionet e Kosovës, çfarë mendojnë serbët e veriut për ju, cili është qëndrimi që mbajnë ata ndaj jush?

Sllobodan Petroviç: Për fat të keq, gjatë viteve të kaluara ka pasur shumë sfida dhe shumë zhvillime që na kanë larguar neve si komunitet nga institucionet e Kosovës. Kushtet e jetës të serbëve që jetojnë në jug apo në veri të lumit Ibër nuk janë të njëjta. Më vështirë e kanë serbët që jetojnë në jug të Ibrit. Atje janë edhe mundësitë për të kuptuar njëfarë realiteti që mbizotëron në tërë Kosovën. Serbët në jug prej disa vitesh dhe në mënyrë aktive kanë marrë rolin e tyre që nëpërmjet institucioneve të luftojnë për mbrojtjen e interesave të komunitetit serb. Kjo ka dhënë rezultate të caktuara që i ndjejnë qytetarët serbë të cilët kanë marrë pjesë në zgjedhje. Ndërsa, qytetarët e komunitetit serb që jetojnë në veri, kanë kushte të tjera jetese që u mundësojnë një mënyrë tjetër të të bërit politikë, e cila sigurisht nuk është afatgjatë. Pas ngjarjeve të fundit në veri, shihet qartazi se ajo politikë nuk ka të ardhme.

Zëri i Amerikës: Cili prisni të jetë qëndrimi i Beogradit pas propozimit që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian? A do të zbutet qëndrimi i Beogradit ndaj Kosovës?

Sllobodan Petroviç: Ky vetvetiu është një fakt i rëndësishëm jo vetëm për Serbinë por edhe për tërë rajonin. Është pozitiv për dy arsye. Së pari për shkak të vetë Serbisë dhe e dyta për shkak se në atë propozim është përfshirë edhe politika ndaj Kosovës. Pres që Serbia të vlerësojë interesin e saj dhe të rajonit, se politika ndaj Kosovës duhet të jetë e tillë që të jetë e drejtuar nga jeta, nga realiteti dhe se do të orientohet më shumë nga e ardhmja sesa nga e kaluara. Besoj se udhëheqësit e Serbisë do t’i lexojnë drejt propozimet e Bashkimit Evropian dhe pres që të gjithë së bashku të jemi një ditë pjesë e familjes së madhe që quhet Bashkimi Evropian, që fundi i fundit është synimi ynë i përbashkët. Thelbi qëndron në atë se Serbia duhet të ndryshojë politikën ndaj Kosovës dhe këto janë kushte të vëna qartazi në propozim.

Zëri i Amerikës: Çështja e veriut të Kosovës është bërë njëfarë pengese që bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit të shtyhen. A mendoni se këto bisedime mund të vazhdojnë në formatin e tanishëm? Apo do të dështojnë?

Sllobodan Petroviç: Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është thjesht i nevojshëm dhe një mundësi e mirë për të zgjidhur problemet e përditshme që kanë qytetarët tanë. Pikërisht edhe marrëveshja e arritur në Bruksel lidhur me doganat, pra me vendkalimet kufitare, nxiti reagimet e serbëve të Kosovës që jetojnë në veri. Besoj se dialogu që do të vazhdojë sigurisht, do të krijojë mundësi për të zgjidhur edhe çështje të tjera që lidhen me jetën e përditshme. Ato bisedime kanë dëshmuar se qytetarët e komunitetit serb që jetojnë në veri të Kosovës e kanë humbur në njëfarë mënyrë besimin edhe tek Beogradi, i cili arriti marrëveshje lidhur për vulat doganore që nuk u përshtatet disa njerëzve në veri. Me këtë u dëshmua për herë të parë në terren se mesazhet e Serbisë janë të pamjaftueshme për veprimtaritë në veri, gjë që u pa edhe me barrikadat e vendosura atje. Rrymat radikale në veriun e Kosovës janë qartazi kundër bisedimeve.

Zëri i Amerikës: Por kjo nuk mund të jetë arsye që bisedimet të mos vazhdojnë?

Sllobodan Petroviç: Jo, jo absolutisht, por desha të them se kjo është një arsye më shumë që bisedimet të vazhdojnë. Absolutishtë është e qartë se bisedimet nën kujdesin e Bashkimit Evropian dhe të Uashingtonit janë një mundësi për ne të gjithë.

Zëri i Amerikës: Si e shikoni ju veriun e Kosovës pas dhjetë vjetësh?

Sllobodan Petroviç: Dëshiroj që në atë periudhë të shoh jo vetëm veriun e Kosovës, por gjthë rajonin në një familje që quhet Bashkimi Evropian. Për këtë është e domosdoshme pjesëmarrja e të gjithë faktorëve. Sigurisht ajo që do të bëhet në këto vjet kur flitet për veriun e Kosovës nga ana e qeverisë, është investimi për një jetë më cilësore të qytetarëve tanë. Pres që qytetarët do t’u përgjigjen ofertave dhe thirrjeve të tilla. Treguesi më i mirë është në jug të Kosovës ku janë themeluar komunat e reja me shumicë serbe duke dëshmuar se ky është një proces para së gjithash në interesin e tyre.

XS
SM
MD
LG