Lidhje

Qendër riciklimi në Illinoi, e para në llojin e vet


Riciklimi
Riciklimi
Një qytet i vogël në Illinoi është origjina e një nisme për riciklimin dhe nismëtarët e saj shpresojnë se ajo do të revolucionarizojë transformimin e mbetjeve të biomasës. Chip Energy mund të mos jetë kompania e parë që i bën mbetjet e dikujt thesar për dikë tjetër, por ajo beson se është e para që ka ndërtuar një objekt riciklimi krejtësisht prej materiali të ricikluar.

Në periferi të Goodfield-it rural në Illinoi, është një pirg i madh drurësh që peshon 4,5 mijë ton. Disa njerëz e shikojnë si një pirg plehrash, por jo Paul Wever.

“Unë e shikoj si fuçi nafte të vendosura mbi njëra tjetrën. Është një burim energjie”.

Për disa vjet radhazi, kompanitë që kanë mbetje industriale i kanë çuar ato tek Wever-i, i cili i përpunon ato në shtufë, karburant dhe prodhime të tjera që mund të shiten.

“Klientët e mi më paguajnë që t’u marr mbetjet dhe unë i kthej në prodhime të vlefshme. Nëse jam i sukseshëm, unë arrij t’i paguaj ata”.

Sekreti i suksesit të tij nuk është ajo që ai krijon por si e bën atë. Me profesion inxhinier, Wever-i por ndërton një objekt riciklimi të biomasës pranë një pirgu drurësh me material të ricikluar, duke shfrytëzuar edhe beton të përdorur dhe ambalazhe transporti.

“Neve do të na kushtonte 5 – 6 milionë dollarë të ndërtonim një objekt konvencional prej betonarmeje. Ne do ta ndërtojmë këtë me 1.5-2 millionë dollarë”.

Wever-i beson se objekti është i pari i këtij lloji, prandaj ishte edhe e vështirë për t’i bindur zyrtarët vendas për të marrë lejen e ndërtimit.

“Ne e dëgjuam idenë e Paul-it me skepticizëm, sepse kjo është kaq novatore sa që nuk kishim me çfarë ta krahasonim”.

Por Kryetari i Bordit të Qarkut Woodford, Stan Glazer, thotë se Wever-i e bëri atë të besonte me këmbënguljen e tij.

“Kur filloi të ngrihej pirgu i mbetjeve, atëhere ne filluam të mendonim edhe një herë për të, por Paul-i ishte aq i vendosur sa që na bëri shumë prej nesh të besonim në rezultatin”.

Kur kjo të ketë përfunduar nga fundi i këtij viti, do të jetë kryesisht investimi i parave të vetë Wever-it.

“Granti për këtë objekt mbulon vetëm 18 përqind të kostos së ndërtimit. Kjo mjaftoi që unë të isha i gatshëm për të mbuluar pjesën tjetër të investimit. Po bëj një investim të madh. Ky është projekti im. Nuk kam investitorë, nuk kam njerëz të tjerë që të më ndihmojnë, ky është projekti im”.

Wever-i shpreson që eventualisht projekti të shërbejë si shembull për qendrat e riciklimit të biomasës që mund të ndërtohen kudo në botë, duke mos lejuar groposjen e miliona kilogram mbetjesh drusore.

“Nuk është ndonjë shpikje e madhe. Është pjesë e ndërtimit të një vendi të qendrueshëm”.

... po ashtu edhe të një planeti të qendrueshëm.
XS
SM
MD
LG