Lidhje

Tiranë: Dhunohet gazetari Ilnica, policia ndaloi Voglin


Policia arrestoi në Tiranë, president i Klubit të futbollit “Kastrioti”, Alban Vogli, pas denoncimit për dhunë nga gazetari sportiv Eduard Ilnica.

Forcat e rendit e akuzuan presidentin Vogli për goditje për shkak të detyrës, plagosje e rëndë me dashje dhe kufizim i paligjshëm lirie.

Gazetari Ilnica u shtrua në spitalin e traumës me dëmtime të rënda në kokë dhe në fytyrë pas një shkrimi kritik, që botoi në shtypin vendas mbi zhvillimet e fundit në qarqet e futbollit.

Dhunën ndaj gazetarit për shkak të detyrës e dënoi OSBE. Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, dënoi sulmin ndaj gazetarit Eduard Ilnica të hënën mbrëma në Tiranë dhe iu bëri thirrje autoriteteve të realizojnë një hetim të shpejtë dhe të plotë të incidentit.

“E dënoj këtë sulm; dhuna ndaj gazetarëve nuk duhet të tolerohet”, - deklaroi zonja Mijatović. - E përshëndes reagimin e shpejtë të policisë, shpresoj që hetimi të japë rezultate dhe të çojë të gjithë fajtorët para drejtësisë”.

OSBE shtoi se gazetari Ilnica u rrah nga një grup personash dhe u shtrua në spital, pas një emisioni televiziv, ku ai raportoi mbi dhunën e ushtruar gjatë një ndeshje futbolli në Peshkopi.

Kryetari i Komisionit parlamentar të Medias dhe Edukimit, Genc Pollo vizitoi në spitalin e Traumës gazetarin e dhunuar barbarisht një natë më parë, Eduard Ilnica.

Zoti Pollo u shpreh se dhunimi i gazetarit përbën një kulm pas lajmeve për dhunë të shtuar në stadiume.

“Vizitova gazetarin Eduard Ilnica të dhunuar brutalisht nga një personazh, që e mban veten për të fortë zone dhe shef sporti. Dëshiroj që Eduard Ilnica të shërohet sa më parë dhe që dhunuesit e tij të përballen me ligjin” - tha zoti Pollo.

Ai shprehu shpresën që ky të jetë rasti i fundit i dhunimit të një gazetari në një kohë që liria e medias është përkeqësuar.

“Liria e shtypit në Shqipëri është në përkeqësim dhe raportet ndërkombëtare e klasifikojnë lirinë poshtë e më poshtë. Dhunimi i një gazetari nga persona të lidhur me të pushtetshmit dhe mosdënimi publik i aktit, mossolidarizimi publik me viktimën e përkeqëson më shumë këtë liri të shtypit tashmë në rënie”, - tha zoti Pollo.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG