Lidhje

Intervistë me Myftiun e Qarkut të Shkodrës

  • Pëllumb Sulo

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Myftiu i Qarkut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari thotë se, ngjarjet e fundit në Irak, Siri dhe vendet e tjera në konflikt diktojnë nevojën për një nderhyrje të forcave të vullnetit të mirë, për rikthimin e paqes. Myftiu Sytari tha se është e dështuar çdo përpjekje për të futur tek shqiptarët një frymë radikale për islamin. Me Myftiun e Qarkut të Shkodrës bisedoi korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo.

Zëri i Amerikës: Zhvillimet e kohëve të fundit në Irak, Siri dhe zona të tjera në Lindjen e Mesme, kanë tronditur opinionin ndërkombëtar dhe atë shqiptar. Ju jeni një nga klerikët myslimanë të Shqipërisë, që keni studiuar në Damask të Sirisë dhe i përkisni shkollës së Thirrjes Islame. Si e vlerësoni situatën atje?

Imam Muhamed Sytari: Është e vërtetë se ndodhitë e fundit në botën arabe, në veçanti në Siri dhe, së fundi në Irak, janë një tronditje e madhe për mbarë opinionin botëror, por edhe për të gjithë myslimanët e botës. Kriza, apo ndodhitë e Sirisë, kanë tre vite që kanë angazhuar opinionin botëror. Dhunë pa fund, vrasje, gjakderdhje, shkatërrim, prishje e sigurisë, e botës shpirtërore dhe materiale, e ekonomisë, kulturës, etj. Pra, në shumë drejtime dhe kjo, normalisht, nuk na gëzon. Është një dhimbje e madhe, duke pasur parasysh se, Siria, Iraku janë zona ku sillen qytetërimet e vjetra mijëvjeçare të botës. Ne shohim se si dita-ditës po precipiton situata, sidomos në Siri. Nga një kërkesë në një realitet, nga një zhvillim në një tjetër. Dhe duar të ndryshme po përzihen dhe nuk po kuptohet më se çfarë po ndodh në Siri. Bota priste ndryshimin e regjimit, por tashmë vëmendja është larguar nga ndryshimi i regjimit, në një realitet tjetër ku ka tendenca për vëllavrasje, për copëtim, për një sprovë dhe një përçarje të frikshme në mesin e sirianëve, por edhe në zonën përrreth Sirisë. Ndërkohë, që ne jemi dëshmitarë të një fryme qytetërimi, cilivizimi, bashkëpunimi, harmonije, bashkëjetese në mesin e feve, sekteve, në mesin e etniteteve të ndryshme në zonën e Sirisë.

Dëshira dhe vullneti jonë, lutjet tona janë që Zoti i Gjithësisë të zbresë mëshirën e tij mbi ato vende dhe të shohim sa më shpejt një paqe gjithëpërfshirëse. Mirëpo kjo kërkon, ndoshta, ndërhyrjen e forcave të ndryshme vullnetmira, të angazhuara për të ndihmuar popullin e Sirisë dhe të Irakut, për të sjellë stabilitetin në ato vende.

Zëri i Amerikës: Sipas njoftimeve të shumta, në këtë konflikt janë përfshirë edhe grupe shqiptarësh nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Në të vërtetë, a kanë motiv shqiptarët për t’u përfshirë në këtë konflikt të përgjakshëm?

Imam Muhamed Sytari: Disa njerëz, edhe nga vendi ynë, ndoshta të shtyrë nga ndjenja apo besimi, dhe vullneti i mirë për të kontribuar sadopak në përkrahjen e njerëzve të shtypur nga padrejtësitë e shumta, mund të jenë shtyrë për të shkuar dhe për të kontribuar në ato vende. Mirëpo sot, mbasi kanë kaluar tre vite dhe nuk dihet më se përse njerëzit luftojnë dhe kundër kujt, unë mendoj se nuk ka asnjë justifikim, për asnjë njeri jashtë Sirisë, që të përfshihet në ndodhitë e Sirisë. Madje, nga kontaktet e ndryshme dhe të shpeshta që ne kemi me dijetarë të ndryshëm, me njerëz të kulturës, të fesë, me njerëz të dijes në ato vende, ato kanë një lutje të përbashkët: ‘Sa të keni mundësi t’u bëni thirrje njerëzve tuaj, opinionit mbarëkombëtar që të mos ketë prurje nga vendet e ndryshme, nga vendet e botës në vendin tonë, sepse mjaftojnë problemet dhe shqetësimet që kemi’. Po rezulton se prania e njerëzve të huaj në ndodhitë e Sirisë dhe ato të Irakut, po kthehet në një boomerang, në një pengesë, një shqetësim edhe më të madh që pengon zgjidhjen e problemit që është në Siri, Irak dhe zonat përrreth.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit, në Kosovë dhe Shqipëri ka patur edhe arrestime të personave që kanë rekrutuar luftëtarë për në vendet në konflikt në Lindjen e Mesme apo që janë kthyer nga Siria. Sa përbëjnë ata rrezik për një radikalizim të islamit, në Shqipëri apo Kosovë?

Imam Muhamed Sytari: Unë them përherë se asnjë përpjekje dhe asnjë tendencë, sado dashakeqe që të jetë, për ta prezantuar Islamin ashtu siç nuk është, është një përpjekje e dështuar. Ne themi përherë se feja islame, po t’i referohemi Kuranit Famëlartë, traditave të Profetit Muhamed (a.s), qëndron mbi çdo përpjekje dështake të kujtdo për ta zbritur bukurinë dhe mirësinë e Islamit në nivele jo të dëshirueshme dhe jo të pranueshme për njeriun. Në Kuranin Famëlartë ne urdhërohemi që, kush shpëton një jetë njeriu është si të ketë shpëtuar tërë botën. Kësisoj, çdo tendencë, çdo përpjekje për ta prezantuar një grup apo një tjetër si përçarës apo tendencioz për të përhapë një frymë radikale ose që nuk lidhet me Islamin, e përsëris, është një përpjekje e dështuar.

Normalisht, ne nuk gëzohemi për realitetet e ditëve të fundit në Kosovë dhe në vendin tonë, por ne lutemi, themi përherë dhe ofrojmë besimtarët që të distancohen nga çdo lloj përpjekje që sadopak ndikon në prishjen e imazhit të Islamit, por edhe në prishjen e imazhit tonë kombëtar. Interesi ynë kombëtar është për të dëshmuar njerëz të pjekur, njerëz që i shërbejnë vendit të tyre, fesë së tyre dhe, nëpërmjet shërbimit ndaj fesë dhe imazhit të Islamit, ne i shërbejmë më së miri edhe interesit tonë kombëtar.

Interesi ynë kombëtar është që Shqipëria dhe trojet tona shqiptare, të interesohen për problemet e tyre, për hallet e tyre, për shqetësimet që kanë në ekonomi, në problemet me fenë dhe shumë të tjera dhe jo të kemi trazira ose shqetësime që na largojnë vëmendjen nga interesat kapitale të vendit tonë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG