Lidhje

Imami i Nju Jorkut shpreh keqardhje për debatin që ka shkaktuar qendra islamike


Imami i Nju Jorkut shpreh keqardhje për debatin që ka shkaktuar qendra islamike
Imami i Nju Jorkut shpreh keqardhje për debatin që ka shkaktuar qendra islamike

Imami nga Nju Jorku që ka propozuar ndërtimin e qendrës islamike disa blloqe larg vendit ku dikur ngrihej Qendra Botërore e Tregëtisë shpreh besimin se ajo do të shërbejë për të bashkuar njerëzit e besimeve të ndryshme dhe jo për t’i ndarë ata. Ai thotë se i vjen shumë keq nga situata e shkaktuar dhe nuk do ta kishte ndërmarrë projektin po ta kishte ditur shkallën e armiqësisë që do të shkaktonte. Megjithatë, ai thotë se është e rëndësishme që të vazhdohet me planet për ngritjen e saj.

Imam Feisal Abdul Rauf tha sot në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë se ngritja e qendrës islamike pranë kuotës zero është e rëndësishme për amerikanët në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën. Ai tha se ajo do të jetë një ambjent ndërfetar.

“Bota do të na vëzhgojë se çfarë do të bëjmë dhe unë iu premtoj se ne do ta vëmë në jetë idealin tonë”.
Dje Imami Rauf tha se nuk e kishte imagjinuar kurrë se propozimi i tij për të ndërtuar një qendër islamike pranë Kuotës Zero ku ndodhën sulmet e 11 shtatorit në Nju Jork do të shkaktonte protesta dhe një debat përçarës në Shtetet e Bashkuara dhe në botë. Po ç’do të kishte ndodhur po ta dinte?
“Nuk do ta kisha bërë propozimin. Unë jam nje njeri per paqen. I gjithë objektivi i punës për paqe është të mos bësh gjë që të shkaktojë përplasje”.
Imami Rauf foli dje në emisionin “This Week” të televizionit ABC. Por megjithë keqardhjen, thotë ai, tani që propozimi është bërë, plani për qendrën islamike nuk duhet hedhur poshtë, ose zhvendoset, siç kanë sugjeruar disa.
“Arsyeja kryesore për realizimin e këtij plani është se përndryshe në botën myslimane do të thuhet: ‘Islami po sulmohet në Amerikë’. Kjo do të forconte pozitën e radikalëve në botën myslimane, do të ndihmonte me rekrutimin e tyre. Kjo do t’i vinte në shënjestër njerëzit, ushtarët, trupat, ambasadat dhe qytetarët tanë në botën myslimane”.

Nga fundi i javës së kaluar, një prift në Florida hoqi dorë nga planet për të djegur Kuranin ditën e 9 vjetorit të 11 shtatorit, duke thënë se kishte arritur një marrëveshje me përfaqësues të Imam Raufit se qendra islamike në Nju Jork do të ndërtohej në një zonë tjetër të qytetit. Imami mohoi që të ishte arritur ndonjë marrëveshje e tillë.

Në një konferencë për shtyp të premten, Presidenti Barak Obama bëri thirrje kundër përçarjes fetare në Shtetet e Bashkuara. Këshilltari i Presidentit për çështjet fetare, Eboo Patel doli gjithashtu në emisionin This Week dhe shprehu mendimin se debati për qendrën islamike do të kapërcehet.

“Ky është një moment i veçuar në klimën e gjithëpërfshirjes që mbizotëron në Amerikë. Dhe në tekstet e historisë, ashtu si edhe përpara do të shkruhet se forcat e gjithpërfshirjes do t’i mundin ato të intolerancës”.

XS
SM
MD
LG