Lidhje

FMN 330 milionë euro hua për Shqipërinë


Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi të premten një hua për Shqipërinë me një vlerë prej 330 milionë eurosh, (457 milionë dollarë) për të mbështetur reformat e qeverisë. Një shumë prej 26 milionë eurosh do të lëvrohet menjëherë.

David Lipton, kryetari në detyrë i Bordit Ekzekutiv të FMN-së, tha se parashikimi ekonomik për Shqipërinë për vitin 2014 pritet të përmirësohet si rezultat i pakësimit të planfikuar të rreziqeve fiskale, shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë dhe fillimit të reformave strukturore. Megjithatë, sipas zyrtarit të FMN-së, rreziqet janë të larta dhe nevojat për rifinancimin e borxhit të mëdha. Kjo marrëveshje, tha zoti Lipton, do ta ndihmojë Shqipërinë të plotësojë detyrimet e saj të jashtme financiare, duke ofruar nga ana tjetër, mbështetjen e nevojshme për të forcuar politikat e brendshme fiskale. Sipas zyrtarit të lartë të FMN-së, ristrukturimi finannciar duhet të synojë uljen e borxhit publik nën 60 për qind të PPB. Sipas FMN-së, arritja e këtij objektivi kërkon marrjen e masave të forta në politikën e taksave dhe atë të shpenzimeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG