Lidhje

FMN: Tkurrje ekonomike më e madhe vitin e ardhshëm


Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi të martën se rritja e ekonomisë globale do të tkurret në 2.9% vitin e ardhshëm, nga 3.6% që ishte parashikimi më parë. Sipas institucionit ndërkombëtar financiar, arësyeja e kësaj është rënia e ritmeve të zhvillimit në Kinë, Indi, Brazil dhe në vendet e tjera në zhvillim. Sipas FMN-së, rritja ekonomike është ngadalësuar ose po qëndron në vend në mbarë botën.

Krye-ekonomisti i FMN-së, Olivier Blanchard paralajmëron se mund të ketë vështirësi të mëdha financiare në mbarë botën, në se Shtetet e Bashkuara nuk zgjidhin në ditët e ardhshme mosmarrëveshjet mbi ngritjen e tavanit të borxhit.

Qeveria amerikane hyri në javën e dytë të mbylljes së pjesshme, ndërsa po afron me shpejtësi afati kur qeveria nuk do të jetë në gjendje të paguajë detyrimet e saj financiare, pasi do të mbesë pa fonde.

Zyrtarët amerikanë të financave thonë se Kongresi duhet të miratojë ligjin për ngritjen e tavanit të borxhit prej 16.7 trilionë dollarësh para 17 tetorit në mënyrë që qeveria të vazhdojë të marrë para hua për të financuar veprimtartitë e saj dhe për të paguar interesat e bonove të thesarit që mbahen nga Kina, Japonia dhe investitorë të tjerë të huaj.

Zoti Blanchard tha se në se mbyllja e pjesshme e qeverisë nuk zgjat shumë, ndikimi i saj mbi ekonominë globale do të jetë i vogël, por në se nuk zgjidhet mosmarrëveshja mbi tavanin e borxhit, pasojat do të jenë tepër të rënda.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG