Lidhje

FMN ul parashikimet ekonomike për vitin 2015


Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike globale për vitin 2015, por ende pret që ekonomia botërore në përgjithësi të forcohet këtë vit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Ide njofton nga Pekini.

Ekonomisti më i lartë i FMN-së thotë se ekonomia botërore po përballet me "valë të forta dhe komplekse" nga rënia e çmimit të naftës dhe sfidat e vazhdueshme të ekonomive të Evropës dhe Japonisë.

Ndërsa FMN ka ulur parashikimin për rritje këtë vit nga 3,8 përqind në 3,5 përqind, ekonomistët e saj thonë se ekonomia botërore do të ketë një përmirësim në krahasim me vitin 2014.

Ekonomisti më i lartë i FMN-së, Olivier Blanchard thotë se rënia e çmimeve të naftës do të ndihmojë rritjen globale, por jo të gjithë do të përfitojnë nga çmimet e ulta të naftës.

"Nga njëra anë, ekonomitë e mëdha po përfitojnë nga rënia e çmimit të naftës, por nga ana tjetër, në shumë pjesë të botës, në aspektin afatgjatë çmimi i ulët i naftës do të ketë ndikim negativ mbi kërkesat, investimet dhe do të dëmtojë ekonomitë e disa vendeve që eksportojnë naftë".

Që nga qershori i vitit të kaluar, çmimi i naftës ka rënë nga rreth 100 dollarë në më pak se 50 për fuçi.

Rënia e çmimit të naftës do të ndihmojë vendet importuese në mbarë globin, por jo vendet eksportuese të naftës si Rusia dhe Nigeria.

"Për eksportuesit e naftës dhe për firmat e përfshira në metodat e reja të prodhimit të energjisë, ky është e një lajm i keq".

Sipas raportit mbi gjendjen e ekonomisë botërore, parashikimet për një ngadalësim të rritjes ekonomike në Kinë, Rusi, Evropë dhe Japoni kanë qenë arsyet kryesore të uljes së parashikimit për rritjen e përgjithshme të ekonomisë botërore për vitin 2015. Shtetet e Bashkuara janë e vetmja ekonomi e madhe në raport që parashikohet të ketë një rritje më të madhe ekonomike këtë vit.

Sipas FMN-së, Shtetet e Bashkuara do të kenë një rritje ekonomike prej rreth 3,5 përqind në vitin 2015, 0,5 përqind më të lartë se niveli i parashikuar nga FMN-ja në muajin tetor.

Japonia, nga ana tjetër, ishte një nga zhgënjimet më të mëdha të vitit 2014.

Zoti Blanchard thotë se ndikimi pozitiv i krijuar nga reformat strukturore atje është ende shumë i dobët për të rritur pritshmëritë për rritjen e ardhshme ose për të nxitur investime.

Por, zoti Blanchard thotë se Japonia dhe Evropa mund të përfitojnë nga luhatjet e vlerës së monedhave të tyre. Që nga gushti, dollari është rritur shtatë përqind, ndërsa euro dhe jeni janë zhvlerësuar.

Zoti Blanchard thotë se ndërsa rritja e dollarit do të ngadalësojë rimëkëmbjen në Shtetet e Bashkuara, rimëkëmbja është mjaft e fortë dhe do të vazhdojë.

"Në të njëjtën kohë, zhvlerësimi i euros dhe jenit do t'i japë një nxitje shumë të nevojshme nivelit të kërkesave në këto dy pjesë të botës, të cilat kanë nevojë për një rritje të kërkesave".

Në Afrikën nën-Sahariane, ekonomistët thonë se çmimet e ulta të naftës dhe mallrave janë gjithashtu përgjegjës për parashikimet më të dobëta të rritjes, në veçanti në Nigeri dhe në Afrikën e Jugut. Rënia e çmimit të mallrave ka ulur parashikimet për rritje ekonomike edhe në vendet e Amerikës Latine dhe ato të Karaibeve.

Ndërkohë, FMN-ja thotë se rritja ekonomike në Kinë pritet të bie nën 7 përqind këtë vit. Sipas parashikimit të ri të FMN-së, rritja pritet të vazhdojë të ngadalësohet dhe të bie në 6,8 përqind këtë vit.

Zoti Blanchard thotë se ngadalësimi i rritjes është një gjë e mirë sepse kjo tregon se Kina është duke u përpjekur ta lëvizë ekonominë e saj drejt konsumit dhe larg sektorit të pasurive të patundshme dhe aktiviteteve të pa rregulluara bankare.

Megjithatë, shton ai, rritja më e ngadaltë në Kinë, do të ketë ndikim në pjesën tjetër të Azisë.

XS
SM
MD
LG