Lidhje

Kosova, një marrëveshje të re me FMN-në

  • Leonat Shehu

Qeveria e Kosovës dhe fondi Monetar Ndërkombëtarë paralajmëruan nisjen e bisedimeve për një program të ri mbështetës. Këto paralajmërime u bënë sot në Prishtinë gjatë takimit të përfaqësuesve e të dyja institucioneve.



Në fund të vitit që lamë pas, qeveria përmbylli një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar që kishte për qëllim mbështetjen e Kosovës me një shumë prej 107 milion eurosh, afërsisht 140 milion dollarë, që të rivendosë qëndrueshmërinë fiskale dhe të ruajë qëndrueshmërinë financiare.

Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj tha se programi i ri ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe sigurimin e qëndrueshmërisë financiare.

Vendi është stabil nga këndvështrimi makro-fiskal dhe mund të financoj me mjetet e veta të gjitha projektet me prioritet që i ka vënë vetes, pra në këtë drejtim ne jemi harmonizuar dhe ky program do të shkojë në drejtim të programit të kujdesit paraprak i cili nënkupton një kujdes, angazhim, bazë ligjore, harmonizim të buxheteve në baza vjetore, por jo mjete financiare. Të jemi të qartë se nuk kemi nevojë financiare për të hyrë në program me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, tha ministri Beqaj.

Ndërsa, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Jacques Alian-Miniane, vuri theksin në bashkëpunimin e mirë ndërmjet dyja institucioneve në realizimin e marrëveshjeve.

Natyrisht se gjatë dy vjet e gjysmë të kaluara, përvoja e Kosovës për realizimin e programit ka qenë e suksesshme, dhe prandaj kërkesën e qeverisë e marrim shumë seriozisht dhe mendojmë që të fillojmë bisedimet për një program të ri me qeverinë e Kosovës gjatë muajit mars”, tha zoti Alian-Miniane.

Ministri Beqaj, thotë se gjendja financiare e vendit është e qëndrueshme dhe se pret rritje më të madhe ekonomike gjatë këtij viti.

Misioni i qeverisë për këtë vit është që të adreson në mënyrë sa më të strukturuar ekonominë joformale dhe në këtë drejtim rol të madh ka Dogana dhe Administrata Tatimore. Pra, janë orientime afatgjata dhe në ekonomi duhet të kuptojmë se gjërat nuk janë në një moment, por janë procese që zgjasin. Mendoj që ekonomia e Kosovës është në proces të mirë, ne në vitin 2013 kemi rritje 3.2 për qind ndërsa në vitin 2014 presim që të ketë rritje 4.1 për qind”, tha ministri Beqaj.

Marrëveshje ndërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtarë dhe qeverisë së Kosovës ishte vlerësuar me rëndësi për nxitjen e sigurimit të fondeve nga Bashkimi Evropian dhe dhuruesit tjerë në një periudhë kur Kosova përballej me vështirësi për të mbushur buxhetin e saj prej 1.5 miliardë eurosh.

Kosova shpalli pavarësisë në shkurt të vitit 2008, ndërsa në qershor të vitit 2009 ajo u bë anëtare e këtij fondi dhe Bankës Botërore. Anëtarësimi që vlerësuar me rëndësi për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës e cila përballet me shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe varfërisë.
XS
SM
MD
LG