Lidhje

FMN: Presim më shumë nga Shqipëria


Pas dy javë bisedime me autoritetet në Tiranë, Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar deklaroi se ekonomia shqiptare ka arritur përparim në gjysmën e parë të këtij viti, ndonëse jo ende në nivelet e pritshme.

Shefi i Misonit të FMN-së për Shqipërinë, Nadim Ilahi, deklaroi në Tiranë se Fondi pret më shumë nga Shqipëria që gjysmën e dytë të vitit të sigurojë rritjen ekonomike deri në 2,7 për qind.

Në një konferencë të përbashkët shtyp me drejtuesit e ekonomisë shqiptare, zoti Ilahi, theksoi se Shqipëria po bën progres, programi ekonomik po ecën mirë, ka shenja të rimëkëmbjes ekonomike, ndonëse kjo është e moderuar. Ndërsa nga kriza financiare greke nuk priten rreziqe me rëndësi.

“Sistemi bankar shqiptar është tejet likuid dhe i mirëkapitalizuar. Kjo përfshin edhe bankat me kapital grek. Rëndësia e tyre në ekonominë shqiptare ka rënë dhe kriza mund të sjellë një ndikim normal dhe të ulët. Po ashtu prej disa vitesh kanë rënë edhe remitancat, paratë e emigrantëve nga Greqia, pra edhe nga kjo pikëpamje risku është shumë i ulët” - tha zoti Ilahi.

Sipas tij, qeveria i ka arritur objektivat mbi buxhetin, duhet të ecë më e sigurtë në rrugën e konsolidimit të borxhit edhe vitin tjetër. FMN e ka nxitur qeverinë që të reduktojë borxhin, ndërsa reforma në sistemin energjitik duhet të vazhdojë.

Ministri i financave, Shkëlqim Cani, tha se misioni konstatoi që programi i bashkëpunimit është në rrugën e duhur, dhe se ritmet duhen shtuar për pjesën e dytë të vitit.

Sipas tij, ekonomia në gjysmën e parë u dëmtua nga vështirësitë e motit të keq, nga ulja e kërkesës së jashtme, sepse edhe vendet e BE-së ulën ritmin e tyre ekonomik. Por këto faktorë janë kalimtarë dhe rritja ekonomike do të forcohet në pjesën e dytë të vitit.

“Po vazhdojmë shlyerjen e detyrimeve të prapambetur, dhe rritja ekonomike do t'i afrohet 3 për qindshit. Në dy vitet e ardhshme rritja do të jetë rreth 3,5-4 për qind. Kërkesa e brendshme po rritet, normat e interesit janë të ulëta, pritet të fillojnë dy investime të huaja të drejtëpërdrejta si TAP, dhe shpresojmë rritjen e kreditimit” - tha zoti Cani.

Sipas tij, rritja ekonomike do të jetë më pak se 3 për qind, ose 2,7 për qind, inflacioni më i ulët se parashikimi dhe këtu ndikuan ulja e cmimit të naftës dhe mineraleve si dhe rënia e çmimeve të bursës.

Lidhur me zhvillimet në greqi zoti Cani tha se efektet e situatës në ekonominë shqiptare janë nën kontroll dhe se ajo që po ndodh në Greqi nuk është lajm.

Ai tha se Shqipëria ka 5 vjet që po përshtatet me këtë gjendje. Bankat me kapital grek janë banka shqiptare, të shkëputura nga bankat mëma. Këto banka janë nën kontrollin e autoriteteve shqiptare; kapitalet janë të konsoliduara dhe nuk ka asnjë rrezik për qytetarin shqiptar.

Komentet e ministrisë së financave dhe Misionit të Fondit i konfirmoi edhe Banka e Shqipërisë si autoritet i pavarur.

Sipas saj, treguesit ekonomikë janë të shëndetshëm, borxhi publik është nën kontroll, ndërsa ekonomia shqiptare është e gatshme të përballojë ndonjë goditje nga kriza greke. Sistemi bankar shqiptar është i qëndrueshëm dhe aktualisht është frenuar shtimi i kredive me probleme, tha Banka e Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG