Lidhje

SHBA, Optimizëm për përparim në çështjen e imigracionit


Administrata Obama dhe dy partitë në Kongres shprehen optimiste se mund të arrijnë një marrëveshje lidhur me ligjin për reforma në politikat e imigrancionit. Por për arritjen e kompromisit palët duhet të kapërcejnë mospajtime të thella:

Presidenti Obama u takua dje me senatorin demokrat Chuck Schumer dhe Senatorin republikan John McCain. Ata diskutuan mënyrat për të çuar përpara projekt-ligjin e Dhomës së Përfaqësuesve drejt një marrëveshjeje për reforma në imigrancion, të ngjashme me reformat që miratoi kohët e fundit Senati.

Bisedimet në Shtëpinë e Bardhë u zhvilluan një ditë pas shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve diskutoi strategjinë e saj për këtë çështje.

Senatori Schumer tha se ndjehej optimist nga fakti që Dhoma e Përfaqësuesve ishte dakord me demokratët në pikën se çështja e imigracionit duhet zgjidhur.

"Kur e pohon se pasiviteti nuk është opsion, duhet të ecësh drejt një bashkëpunimi dypartiak. Kur kërkon bashkëpunim dypartiak, do të arrish përparim drejt një zgjidhjeje”.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha dje se ligjvënësit e kuptojnë nevojën për reforma në politikat e imigracionit. Megjithatë, ai tha se Dhoma e Përfaqësuesve kërkon miratimin e një numër ligjesh dhe jo një pakete madhore ligjore, siç u miratua në Senat. Po ashtu, republikanët kërkojnë masa më të forta për kontrollin e kufirit.

"Shumica e anëtarëve tanë besojnë se duhet të ballafaqohemi me këtë problem. Ata besojnë gjithashtu se duhet një zgjidhje graduale dhe e matur. Do të shtoja se është e qartë që mbrojtja e kufirit dhe aftësia e Amerikës për të zbatuar ligjet e imigracionit janë hapat e parë të rëndësishëm në këtë proces”.

Një tjetër sfidë madhore janë 11 milionë immigrantët që ndodhen në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme. Demokratët këmbëngulin se reformat duhet t’u ofrojnë këtyre individëve mënyra për të marrë shtetësinë amerikane, ndërsa republikanët e kanë kundërshtuar me forcë këtë propozim.

Zoti Boehner shton se preokupimi i tij kryesor është përmbushja e këtyre reformave sa më mirë dhe jo sa më shpejt.

Pas takimit me Presidentin në Shtëpinë e Bardhë, zoti McCain u tha ligjvënësve republikanë se ai dhe republikanë të tjerë në Senat do të punojnë me ngulm për të arritur një marrëveshje.

"Ne jemi gati të negociojmë. Ne jemi gati të diskutojmë, të ulemi me ju për ta zgjidhur këtë çështje që të gjithë e kemi të qartë se duhet zgjidhur”.

Reformat në imigracion janë shumë të rëndësishme për shumë amerikanë hispanikë që votuan për Presidentin Obama në masë dërrmuese në zgjedhjet 2012 dhe në 2008. Ky fakt përbën presion më të madh për republikanët, sidomos për ata si Senatori John McCain i cili përfaqëson një shtet me një përqindje të lartë latino-amerikanësh në popullatë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney thotë se përpjekjet për të reformuar politikat e imigracionit kanë mbështetje të gjerë në të gjithë vendin.

"Vazhdojmë të ushqejmë shpresa se Kongresi do të veprojë në këtë çështje dhe shpresojmë që të veprojë sa më parë që të jetë e mundur, pasi konsensusi ekziston. Biznesi e mbështet, po ashtu udhëheqësit fetarë. E mbështesin edhe përfaqësuesit e forcave të rendit”.

Megjithatë, shumë republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve përfaqësojnë elektorate ku shumicën e përbën popullata e bardhë. Për ta, tema e imigracionit nuk është shumë popullore dhe këta votues po ushtrojnë presion mbi përfaqësuesit e tyre për ta kundërshtuar idenë e reformave.
XS
SM
MD
LG