Lidhje

Senati hap debatin mbi reformat në imigracion

  • Cindy Sain

Senati amerikan ka hapur debatin mbi reforma madhore në politikat e imigracion. Reformat e propozuara përmes një projektligji me mbështetje dypartiake, përkrahen nga një grup prej tetë senatorësh. Përkrahësit dhe kundërshtarët e reformës u ballafaquan dje në Senat.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Harry Reid vlerësoi meritat e projekt-ligjit në ditën e parë të debatit që pritet të zgjasë për javë të tëra mbi temën e nxehtë për reforma në sistemin e imigracionit.

“Sistemi ynë nuk funksionon dhe duhet ndrequr. Më jep kënaqësi fakti që shoh energji për të çuar përpara këtë paketë reformash të logjikshme që e bëjnë vendin më të sigurtë dhe ndihmojnë 11 milionë imigrantë që aktualisht janë pa dokumenta, të rregullojnë statusin përballë ligjit”.

Senatori Reid tha se parashikon që Senati ta hedhë në votë projekt-ligjin para fillimit të pushimeve për festën e pavarësisë më 4 Korrik.

Por optimizmi i zotit Reid u ballafaqua me kritikat e Senatorit republikan Jeff Sessions nga Alabama, i cili tha se shumë amerikanë janë kundër idesë që t’u hapet rruga e shtetësisë amerikane personave që kanë shkelur ligjin për të qëndruar në Amerikë.

“Nuk lejohet që të paguash një trafikant që të ndihmon të kalosh ilegalisht kufirin dhe 18 muaj më vonë të paraqesësh kërkesë për shtetësi. Ligji nuk e lejon një gjë të tillë”.

Autorët e projekt-ligjit thonë se propozimi do t’u kërkonte atyre që ndodhen në mënyrë të paligjshme në Amerikë të paguajnë një gjobë si dhe taksat dhe të presin disa vite para se të kenë mundësi të marrin shtetësinë. Ata shtojnë se kjo metodë do të shoqërohet me forcimin e kontrollit të kufijve. Por kundërshtarët shprehin shqetësimin se projekt-ligji nuk ofron gjë tjetër veçse një amnisti de facto dhe se miliona imigrantë të tjerë mund të futen në mënyrë të paligjshme në vend.

Jill Wilson është analiste në Institutin Brookings. Ajo shprehet se reformat për imigracionin janë tema më polemizuese aktualisht, dhe se republikanët, si për shembull Senatori Sessions, sjellin si shembull amnistinë e fundit të ofruar për 3 milionë vetë në vitin 1986.

“Kundërshtarët e ligjit kërkojnë garanci më të forta se nuk do të ketë një valë të re imigracioni të paligjshëm në masë dhe se nuk do të ketë programe të tjera për legalizimin e imigrantëve në të ardhmen”.

Analistja Wilson thotë se debati mbi imigracionin është shoqëruar me kthesa e ndryshime të papritura gjatë muajve të fundit dhe se pritet të ketë surpriza të tjera në të ardhmen. Një ndër dilemat e reformave në imigracion është si të tërhiqen më shumë punëtorë të kualifikuar dhe profesionistë dhe si të mundësohet një program vizash të përkohëshme pune për punonjës krahu.

Edhe nëse Senati miraton reformat në imigracion, ka gjasa që projekt-ligji të hasë kundërshti edhe më të forta në Dhomën e Përfaqësuesve, ku udhëheqësit e Dhomës janë zotuar të ofrojnë një variant tjetër për debat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG