Lidhje

SHBA, sfidat e reformës së imigracionit


Fati i reformës amerikane të imigracionit mund të varet nga fakti nëse Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane do të pranojë ose jo mundësinë e marrjes së shtetësisë për 11 milionë emigrantë pa dokumente. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim kundërshtimeve ndaj reformës gjithëpërfshirëse dhe pasojave të mundshme politike, nëse përpjekjet për miratimin e saj dështojnë.

Mbështetësit e reformës së imigracionit kanë zhvilluar tubime protestash në shkallë të gjerë për të ushtruar trysni ndaj ligjvënësve. Kundërshtarët e saj kanë organizuar aktivitete më të pakta dhe më të vogla, si ky takim në Richmond, të Virxhinias, ku mori pjesë dhe njëri nga kundërshtarët më të vendosur të mundësisë së dhënies së shtetësisë për personat pa dokumente, ligjvënësi republikan Steve King.

"Nëse shpërblejmë njerëzit sepse kanë shkelur ligjin, do të kemi më tepër shkelës të ligjit. Ata erdhën vetë këtu dhe nëse nuk gjejnë mundësi pune, në qoftë se sigurojmë kufirin - atëherë shumë njerëz do të kthehen në vendet e tyre."

Aktiviteti u mbajt pranë distriktit të udhëheqësit të shumicës republikane Eric Cantor. Ai dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner do të vendosin nëse nëse do të votohet mbi paketën e reformave.

"Nëse reforma e imigracionit nuk miratohet, republikanët do të fajësohen për këtë."

Konsulenti republikan John Feehery thotë se partia e tij rrezikon të zemërojë komunitetin me rritjen më të shpejtë në Amerikë, hispanikët.

"Nëse armiqësohen me këtë bllok votuesish, ata do të përballen me një koalicion që në vazhdimësi do të votojë kundër tyre dhe kjo do t’u krijojë shumë probleme."

Në vitin 2012, kandidati republikan për president, Mitt Romney mori më pak se 30 për qind të votave të komunitetit hispanik. Qëndrimi i kësaj partie ndaj reformës së imigracionit është një nga arsyet kryesore, sipas aktivistes Angelica Salas.

"Republikanët vazhdojnë të na kujtojnë se përse nuk duhet t’i votojmë apo mbështesim."

Këtë prirje e konfirmon dhe studiuesi Mark Lopez.

"Kemi parë një rritje të numrit të hispanikëve të cilët identifikohen ose anojnë drejt Partisë Demokratike, në vitet e fundit."

Por zoti Lopez shton se reforma imigracioni është vetëm njëra nga çështjet për të cilat hispanikët janë shumë të interesuar. Të tjerat përfshijnë mundësitë ekonomike dhe arsimin. Ai thotë se elektorati hispanik arrin në 23 milionë njerëz, por mund të shkojë deri në 40 milionë, brenda vitit 2030.

"Në dekadën e fundit, hispanikët llogariten të kenë përbërë më shumë se gjysmën e rritjes së popullsisë amerikane. Në të ardhmen, ata pritet të vazhdojnë të jenë një pjesë e rëndësishme, ndoshta dhe shumica, e rritjes së popullsisë amerikane."

Konsulenti republikan John Feehery mendon se nuk ka gjasa që reforma e imigracionit të miratohet këtë vit, por ai shpreson që së shpejti partia e tij të vendosë ta mbështesë mundësinë për marrjen e shtetësisë nga personat pa dokumente.

"Gjëja për të cilën njerëzit votojnë është interesi i tyre ekonomik. Dhe mendoj se ndërkohë që hispanikët do të përparojnë ekonomikisht dhe do të integrohen më tej në shoqërinë amerikane, ata do të fillojnë të votojnë bazuar tek interesat e tyre ekonomike dhe do të kthehen drejt republikanëve. Miratimi i reformës së imigracionit do të përshpejtonte këtë proces."

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner thotë se ai e di që reforma e imigracionit është e nevojshme.

"Sistemi aktual nuk funksionon dhe duhet rregulluar."

Por zoti Boehner e ka përjashtuar votimin mbi një projekt-ligj që nuk mbështetet nga shumica e grupit të partisë së tij. Ky kusht duket se për momentin përjashton mundësinë për dhënien e shtetësisë.
XS
SM
MD
LG